Ndërlidhjet

Grenell mbështet qasjen e Mustafës për heqjen e taksës


Ambasadori Richard Grenell dhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell ka thënë se heqja e taksës 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, do t’i hapte rrugë zhvillimit ekonomik.

“Heqja e tarifave që nesër do të ishte një fillim i mbarë për më shumë përparim – dhe kjo do të lëvizte shumë shpejt. Por, zhvillimi ekonomik nuk mund të ndodhë nëse nuk hiqen tarifat”, ka shkruar në Twitter, ambasadori Richard Grenell.

Ky reagim i ambasadorit Grenell erdhi pasi lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se taksa duhet të hiqet, ashtu siç ka kërkuar SHBA-ja.

Grenell e mirëpriti këtë qëndrim të Mustafës karshi taksës dhe e quajti atë "lider të guximshëm".

Përmes një postimi në Facebook, Isa Mustafa, partia e së cilit është në koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit, tha se deputetët e LDK-së do ta mbështesin qeverinë për heqjen e taksës, pasi sipas tij, kjo është në interes të Kosovës.

Mustafa është shprehur se gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, që është paraparë të mbahet të hënën, deputetët duhet t'i japin përkrahje Qeverisë Kurti, që ta heqë taksën.

“Të hiqet (v.j. taksa) ashtu siç po kërkojnë SHBA-të. Nëse dikush luhatet, LDK, deputetët e saj dhe anëtarët e Qeverisë do të mbështesin pa asnjë rezervë dhe me besim e bindje të plotë heqjen e menjëhershme të tarifës, dhe atë jo vetëm se po e kërkon partneri ynë strategjik SHBA, por se jemi të bindur se kjo është në interes të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Mustafa.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paraqitur planin e tij për heqjen e taksës. Ai ka njoftuar se më 15 mars do të hiqet taksa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Ai ka thënë se nëse Serbia ndalë fushatën për çnjohje dhe zotohet për heqjen e barrierave jotarifore, nga 1 prilli, taksa do të hiqet prej një periudhe prej 90 ditësh. Nëse Serbia nuk i përmbahet këtyre zotimeve, sipas Kurtit, nga 15 qershori, do të rivendoset taksa 100 për qind dhe do të zbatohet parimi i reciprocitetit.

Ky plan i Kurtit është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara. Ambasadori Grenell, menjëherë pasi Kurti paraqiti planin e tij për heqjen e taksës deklaroi se kryeministri i Kosovës bën “gabim serioz”, pasi sipas tij, kërkesa e SHBA-së është që tarifat të hiqen plotësisht.

Taksa 100 për qind u vendos në nëntor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës, që atëbotë udhëhiqej nga Ramush Haradinaj. Kjo taksë është vlerësuar si pengesë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi kjo e fundit ka refuzuar që të kthehet në tavolinën e bisedimeve pa u hequr taksa.

SHBA-ja, por edhe Bashkimi Evropian në vazhdimësi kanë kërkuar nga autoritetet në Prishtinë që të heqin taksën, për t’i hapur rrugë rinisjes së dialogut.

XS
SM
MD
LG