Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës në seancë të jashtëzakonshme në lidhje me taksën


Parlamenti i Kosovës, ilustrim.
Parlamenti i Kosovës, ilustrim.

Me kërkesën e 41 deputetëve nga partitë opozitare, Kuvendi i Kosovës po zhvillon të hënën një seancë të jashtëzakonshme lidhur me paralajmërimin e kryeministrit, Albin Kurti, për shfuqizimin hap pas hapi të tarifës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Më e zëshmja kundër heqjes së taksës është deklaruar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila po insiston që tarifa doganore ndaj Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës të mos shfuqizohet në asnjë mënyrë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paraqitur të enjten e javës së kaluar planin e tij për heqjen e taksës. Ai ka njoftuar se më 15 mars do të hiqet taksa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Ai ka thënë se nëse Serbia ndal fushatën për çnjohje dhe zotohet për heqjen e barrierave jotarifore, nga 1 prilli, taksa do të hiqet prej një periudhe prej 90 ditësh.

Nëse Serbia nuk i përmbahet këtyre zotimeve, sipas Kurtit, nga 15 qershori, do të rivendoset taksa 100 për qind dhe do të zbatohet parimi i reciprocitetit.

Por, ky plan i Kurtit është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara.

Ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell, menjëherë pasi Kurti paraqiti planin e tij për heqjen e taksës deklaroi se kryeministri i Kosovës bën “gabim serioz”, pasi sipas tij, kërkesa e SHBA-së është që tarifat të hiqen plotësisht.

Taksa 100 për qind u vendos në nëntor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës, që atëbotë udhëhiqej nga Ramush Haradinaj.

Kjo taksë është vlerësuar si pengesë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi kjo e fundit ka refuzuar që të kthehet në tavolinën e bisedimeve pa u hequr taksa.

SHBA-ja, por edhe Bashkimi Evropian në vazhdimësi kanë kërkuar nga autoritetet në Prishtinë që të heqin taksën, për t’i hapur rrugë rinisjes së dialogut.

XS
SM
MD
LG