Ndërlidhjet

Turqia dhe BE-ja do të diskutojnë për çështjen e migrantëve


Flamuri i Turqisë dhe ai i BE-së

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se të hënën do të takohet me zyrtarët e Bashkimit Evropian, për të diskutuar çështjen e migrantëve, dhe përsëriti thirrjen e tij, për më shumë ndihmë në përballimin e miliona refugjatëve nga Siria fqinje e shkatërruar nga lufta.

Turqia, kohët e fundit, tha se nuk do t'i përmbahej më një marrëveshje të vitit 2016 për t'i parandaluar migrantët të udhëtojnë për në BE.

"Ne shpresonim të merrnim shumë më tepër mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare kur bëhet fjalë për refugjatët. Unë kam një takim me zyrtarë të Bashkimit Evropian nesër në Belgjikë. Ne do t'i diskutojmë këto çështje", tha Erdogan në një fjalim në Stamboll.

Në Turqi janë rreth 3.6 milionë refugjatë nga fqinji jugor Siria, ku lufta civile ka filluar nga viti 2011.

"Ne kemi përmbushur detyrimet e marrëveshjes që kemi bërë me BE-në. Megjithatë, BE-ja nuk i ka përmbushur angazhimet e veta, përveç kontributeve minimale", tha Erdogan.

Sipas marrëveshjes së vitit 2016, BE-ja duhej të siguronte 6 miliardë euro për të ndihmuar Turqinë të financojë strehimin, shkollat dhe qendrat mjekësore për refugjatët, raporton Reuters.

Turqia thotë se BE-ja nuk ka arritur të respektojë premtimet, përfshirë udhëtimin pa viza për qytetarët turq dhe një bashkim të zgjeruar doganor.

Ankaraja gjithashtu kërkon më shumë mbështetje evropiane në Siri, ku trupat e saj po mbështesin rebelët antiqeveritar kundër forcave të qeverisë siriane të mbështetur nga Rusia.

XS
SM
MD
LG