Ndërlidhjet

Kurti: Nuk besoj që trupat amerikane do të tërhiqen nga Kosova


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk beson që trupat amerikane do të tërhiqen nga Kosova.

“Kemi parë një dëshirë të djalit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por kjo nuk ka lidhje me tarifën 100 për qind. Nëse ajo dëshirë bëhet vendim i presidentit amerikan, sërish nuk ka lidhje me tarifën 100 për qind, ka të bëjë me një reduktim të trupave që SHBA-ja e ka bërë edhe në Afganistan edhe në Siri”, ka thënë Kurti pas një tubimi elektoral që partia e tij e mbajti në kuadër të fushatës zgjedhore për kryetar të Podujevës.

Ai theksoi se SHBA-ja duhet të qëndrojë në gjitha format e saj shtetërore në Kosovë, me ambasadë, ekonomi, kulturë dhe mbrojtje.

“Jemi për partneritet e aleancë të fuqishme”, shtoi Kurti

Të martën, Donald Trump Junior, djali i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i bëri jehonë deklaratës së senatorit amerikan, David Perdue, në të cilën ai thoshte se “në rast që Kosova nuk e shfuqizon tarifën ndaj Serbisë dhe nuk është e përkushtuar për paqen, atëherë SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë”.

Deklarata gjeti mbështetjen edhe të të dërguarit presidencial të SHBA-së, për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorit, Richard Grenell.

Në fakt, Grenell ka kohë që po kërkon nga autoritetet e Kosovës të heqin plotësisht tarifën ndaj mallrave serbe, në mënyrë që të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare të paqes.

SHBA-ja e ka kundërshtuar planin e kryeministrit Kurti për heqjen e tarifës në mënyrë graduale.

Por, Kurti duket se nuk ka ndryshuar qëndrim, pasi e rikthesoi edhe njëherë qëndrimin e tij se tarifa duhet të hiqet në mënyrë graduale.

“Ne do ta heqim tarifën 100 për qind në mënyrë graduale, duke e zëvendësuar me reciprocitetin gradual. Jam i bindur se kjo është rruga e duhur përpara dhe qëndrimi më racional dhe më i dobishëm për vendin tonë”, ka thënë Kurti.

Heqjen e tarifës e ka kërkuar të martën edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili i kërkoi qeverisë që urgjentisht të mblidhet dhe të plotësojë kërkesat amerikane.

Ndërkaq, partneri i koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka theksuar se mbështet heqjen e pakusht të tarifës.

Që nga nëntori i vitit 2018, kur u vendos tarifa 100 për qind nga qeveria e ish kryeministrit, Ramush Haradinaj, Beogradi zyrtar ka refuzuar të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

XS
SM
MD
LG