Ndërlidhjet

Tërheqja e trupave nga Kosova do të ishte gabim, thotë ish-komandanti amerikan


Gjenerali, Ben Hodges

Ish-komandanti i Komandës së Ushtrisë amerikane për Evropë, gjenerali Ben Hodges, e ka kundërshtuar mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova.

Të martën, Donald Trump Junior, djali i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i bëri jehonë deklaratës së senatorit amerikan, David Perdue, në të cilën ai thoshte se “në rast që Kosova nuk e shfuqizon tarifën ndaj Serbisë dhe nuk është e përkushtuar për paqen, atëherë SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë”.

Por, gjenerali Hodges, ka thënë përmes një postimi në rrjetin social Twitter, se “ky do të ishte një gabim, pasi KFOR-i është spiranca e vetme e stabilitetit në rajon”.

Deklarata e senatorit amerikan për tërheqjen e trupave amerikane ka ngjallur reagime edhe në Kosovë. Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se qeveria urgjentisht duhet të plotësojë kërkesat amerikane për tërheqjen e tarifës ndaj mallrave serbe.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk beson që trupat amerikane do të tërhiqen nga Kosova.

Shtetet e Bashkuar e kanë marrë drejtimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi ai i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian u ndërpre në vitin 2018, për shkak të vendosjes së tarifës ndaj mallrave serbe, nga ana e autoriteteve të Kosovës.

Nën ndërmjetësimin e të dërguarit presidencial të SHBA-së, ambasadorit, Richard Grenell, muajt e fundit janë arritur dy marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë: për linjën hekurudhore dhe atë ajrore.

Por, Shtetet e Bashkuara janë duke bërë presion mbi Prishtinën për të hequr në tërësi tarifën, në mënyrë që të hapet rruga për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

XS
SM
MD
LG