Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut konfirmon katër raste të reja me koronavirus


Ilustrim

Katër raste të reja janë konfirmuar me koronavirus në Maqedoninë e Veriut.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 13 persona nga të cilët njëri është shëruar plotësisht.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në një paraqitje drejtuar opinionit, ka bërë të ditur se për të hënën ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, për të diskutuar rreth masave që janë në dispozicion në rast të përkeqësimit të situatës. Ai ka thënë se mbetet mundësi e hapur edhe shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme.

Ndërkohë ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut u ka bërë thirrje qytetarëve që të mbeten të izoluar në shtëpi dhe të respektojnë masat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe njoftoi se “qeveria ka miratuar shpalljen e gjendjes së krizës në Dibër dhe Qendër të Zhupës” ku është numri më i madh i të infektuarve.

Ndërkohë liderët e partive politike gjatë të enjtes u dakorduan që gjatë kohës kur në fuqi janë masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të zhvillohet vetëm përmes mediave duke shmangur çdo lloj tubimi parazgjedhor.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, aktualisht vetëm Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë raste të regjiustruara me koronavirus.

OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen COVID-19 që shkakton koronavirusi SARS-CoV-2.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në gjithë botën, në total janë: 135,232 njerëz të infektuar, 4,981 të vdekur dhe 69,645 të shëruar.

XS
SM
MD
LG