Ndërlidhjet

Kurti: Ende nuk e kam bindur LDK-në për heqjen e pjesshme të taksës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se ende nuk ka arritur që ta bindë partneren e koalicionit, Lidhjen Demokratike të Kosovës, që taksa 100 për qind të zëvendësohet gradualisht me reciprocitet.

Kurti, i cili në muajin e kaluar kishte paraqitur planin e tij për heqjen e taksës, por që nuk u shndërrua në vendim të qeverisë, tha setaksa për lëndën e parë, nuk do të hiqet nga data e sotme, ashtu siç ai kishte njoftuar.

“Ende nuk kam arritur ta bind partnerin tonë të koalicionit qeverisës, LDK-në, për atë që vetë jam i bindur: zëvendësimi gradual i tarifës me reciprocitetin është mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme”, tha Kurti.

Në planin e Kurtit për heqjen e taksës – që po kundërshtohet nga LDK-ja, e cila po kërkon heqjen e taksës pa kushte– taksa për lëndën e parë do të duhej të hiqej më 15 mars. Ai kishte deklaruar se nëse Serbia ndalë fushatën për çnjohje dhe zotohet për heqjen e barrierave jotarifkore, nga 1 prilli, taksa do të hiqej për një periudhë 90 ditëshe. Nëse Serbia nuk i përmbahet këtyre zotimeve, sipas Kurtit, nga 15 qershori, do të rivendosej taksa 100 për qind dhe do të zbatohet parimi i reciprocitetit.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar këtë plan, duke kërkuar heqjen e taksës pa kushte. Madje, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell e kishte cilësuar “gabim serioz” nëse Kosova heqë taksën pjesshëm, ashtu siç ka propozuar Kurti.

Taksa 100 për qind u vendos në nëntor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës, që atëbotë udhëhiqej nga Ramush Haradinaj. Kjo taksë është vlerësuar si pengesë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi kjo e fundit ka refuzuar që të kthehet në tavolinën e bisedimeve pa u hequr taksa.

XS
SM
MD
LG