Ndërlidhjet

Podujevë: Dezinfektohet zona ku u evidentua rasti i parë me koronavirus


Ilustrim.

Autoritetet komunale në qytetin e Podujevës kanë dezinfektuar fshatin Dumnicë e Poshtme, nga i cili është personi i parë i prekur me koronavirus në këtë komunë.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se janë marrë të gjitha masat për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të fshatit Dumnicë e Poshtme, i vendosur në karantinë me vendim të Qeverisë së Kosovës.

“Me të marrë informatën se një qytetar është diagnostikuar me këtë virus, e kemi thirrur shtabin dhe menjëherë i kemi marrë masat. E kemi dërguar një ekip mjekësor dhe një ekip të policisë, e po ashtu një ekip nga kompania për dezinfektim, e cila ka bërë dezinfektimin e lagjes dhe të familjeve të personit të prekur nga koronavirusi”, tha Rudari.

Ai tha se u janë ofruar ndihmë dhe konsulta mjekësore të gjithë personave që mund të kenë pasur kontakt me personin e infektuar.

“Ekipi mjekësor ka bërë kontrollet mjekësore dhe i ka udhëzuar banorët dhe familjarët e të prekurit nga virusi se si duhet të sillen, çka duhet të bëjnë nëse vërejnë simptoma, ku duhet të drejtohen... Pastaj, qeveria ka marrë vendim diku nga mesnata dhe i ka futur fshatrat Dumnicë e Poshtme, Dumnicë e Epërme dhe Llaushë në karantinë”, tha për Radion Evropa e Lirë Nexhmi Rudari.

Komuna e Podujevës, deri më tani, ka vetëm një rast që ka rezultuar pozitiv në testet për koronavirus.

I infektuari është i gjinisë mashkullore, 62 vjeç, dhe, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ka udhëtuar në Kosovë direkt nga Italia, më 5 mars, 2020, nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Deri më tani në Kosovë 13 persona janë prekur nga kjo sëmundje.

Qeveria e Kosovës, pas rritjes së numrit të të infektuarve, më 15 mars vendosi që të shpallë gjendje të emergjencës publike.

XS
SM
MD
LG