Ndërlidhjet

Isa Mustafa kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme


Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kërkon që sa më parë të shpallet gjendja e jashtëzakonshme si masë parandalimi ndaj përhapjes së koronavirusit të ri.

“Duhet të veprohet sa më shpejt edhe me gjendje të jashtëzakonshme, sepse po përballemi me një fatëkeqësi e cila po shpërndahet në tërë territorin e Kosoves. Pse të pritet më shumë. Kushtetuta ka folë qartë!”, ka shkruar Mustafa në rrjetin social Facebook.

Sipas tij, situata me koronavirusin duhet të menaxhohet maksimalisht nga institucionet e vendit dhe nga vet qytetarët dhe bizneset.

“Sot, si kurrë më parë, është koha që institucionet e Kosovës parreshtur të komunikojnë mes veti. Presidenti, Parlamenti, Qeveria”, ka shkuar Mustafa.

Kosova ka shpallur gjendjen e emergjencës së shëndetit publik, pas paraqitjes së rasteve të para me koronavirusin e ri.

Deri më tani, në Kosovë janë konfirmuar 17 raste të infeksioneve me këtë virus.

Koronavirusi i ri ka shpërthyer në fund të vitit të kaluar në Kinë.

Në muajt vijues pothuajse gjitha vendet e botës kanë raportuar raste me infeksione.

Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins deri më 17 mars, në gjithë botën janë konfirmuar 185,067 raste me koronaviusin e ri. Mbi 80,236 të infektuar janë shëruar, ndërkaq të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19, janë mbi 7,330 persona.

XS
SM
MD
LG