Ndërlidhjet

Rënie e rasteve të brendshme me koronavirus në vendet aziatike


Pekin, Kinë

Koreja e Jugut, Kina dhe Singapori janë në mesin e vendeve aziatike që po përballen me valën e dytë të koronavirusit, të shkaktuar nga njerëz që e importojnë atë nga jashtë.

Kina, ku koronavirusi është paraqitur për herë të parë, ka konfirmuar se të mërkurën nuk ka pasur asnjë rast të ri të brendshëm – për herë të parë prejse ka nisur shpërthimi i sëmundjes në dhjetor të vitit të kaluar.

Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë ka thënë po ashtu se nuk ka asnjë rast të infektimit në Vuhan, qytetin që ka qenë epiqendër e shpërthimit.

Megjithatë, autoritetet kineze kanë raportuar për 34 raste të reja në mesin e njerëzve të kthyer së voni në Kinë.

Singapori po ashtu ka raportuar për 47 raste të reja, prej të cilave 33 janë importuar.

Në Korenë e Jugut ka pasur 152 raste të reja të enjten, edhe pse nuk është e qartë se sa prej tyre janë importuar.

Në Japoni, ndërkaq, janë raportuar vetëm tre raste të reja të mërkurën.

Sipas një vlerësimi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, epiqendër e koronavirusit tani është Evropa.

Vendet e goditura më së keqi në këtë kontinent janë Italia dhe Spanja.

Në total, në gjithë botën janë mbi 220,000 raste të konfirmuara me koronavirus dhe mbi 8,800 njerëz të vdekur.

Lexoni edhe këtë:

XS
SM
MD
LG