Ndërlidhjet

Nisma Socialdemokrate do ta mbështesë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë


Kryetari i partisë Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka deklaruar se partia e tij mbështetë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, të cilin e ka inicuar Lidhja Demokratike e Kosovës.

Limaj ka thënë se duhet të gjendet një zgjidhje, e cila sipas tij nuk nënkupton shkuarjen e vendit në zgjedhje.

“Se ky koalicion do të ketë një përfundim të tillë kam qenë i bindur për shumë arsye, prej dallimeve konceptuale dhe mënyrës se si kanë filluar të bashkëbisedojnë e të ndërtojnë atë koalicion nga fillimi e deri në fund ka qënë me mosbesim, me jotransparencë, me njëanshmëri dhe mungesë përvoje”, deklaroi Limaj.

Limaj tha se duhet proceduar sa më parë me aspektet ligjore në mënyrë që mocioni i mosbesimit të shkojë për votim në Kuvend.

Më herët edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se do ta mbështesë një mocion të mundshëm mosbesimi ndaj qeverisë.

Si filloi kriza qeveritare?

Partnerët e koalicioni qeverisës në Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë pasur në vazhdimësi mospajtime në lidhje me shfuqizimin e tarifës ndaj importeve nga Serbia, që shihej si pengesë për vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi. Heqjen e tarifën e kanë kërkuar më ngulm Shtetet e Bashkuara.

Mirëpo, kulmi i përçarjes mes koalicionit qeverisë arriti më 18 mars kur kryeministri, Albin Kurti (VV) shkarkoi nga detyra ministrin e Brendshëm, Agim Veliun (LDK), pasi ai doli në favor të dekretit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, masë kjo që u kundërshtua nga kryeministri Kurti.

Qeveria e Kosovës tashmë ka shpallur gjendjen e emergjencës së shëndetit publik për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Pas shkarkimi të ministrit Veliu, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili i kërkoi Kurtit ta anulojë vendimin, në të kundërtën, gjithë kjo situatë, sipas tij, mund të çojë në prishjen e koalicionit.

Konform këtij qëndimi të liderit të LDK-së, Kryesia e kësaj partie u mbodh dhe vendosi të iniciojë rrëzimin e qeverisë.

XS
SM
MD
LG