Ndërlidhjet

PDK përkrah mocionin e mosbesimit, por preferon opozitën


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë në një konferencë për media në selinë e kësaj partie, se nuk pjesë e asnjë skenari për rrëzimin e qeverisë.

Veseli ka thënë se ajo që po ndodh tani mes partnerëve të koalicionit qeverisës është papërgjegjesi totale.

“Nuk e di se çfarë qeverie do të mund të jetë më e dëmshme se kjo aktualja për vendin, por i siguroj qytetarët dhe votuesit e PDK-së se ne nuk do të jemi pjesë e asnjë kalkulimi që është i reduktuar te pushteti”, është shprehur ai.

Veseli ka konsideruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka ikur përgjegjësive që ka dhe i ka vulosur vetes fatin politik.

"Kjo ikje, në formë të tillë, është e padenjë. Sepse, nuk iket kur duhet të luftosh për popullin tënd. Por, si duket, ikja është puna që ky kryeministër di ta bëjë më së miri. Pra, nuk mund të kishte një fund tjetër një qeveri dhe një kryeministër, që për një kohë kaq të shkurtër e rrezikuan skajshmërisht aleancën më jetike për Kosovën, që dështuan të ofrojnë një program zhvillimi për pritjet e qytetarëve dhe që krijuan aq shumë kundërthënie brenda vetes për një periudhë të shkurtër", ka shtuar ai.

Megjithatë Veseli ka treguar se PDK-ja në parim përkrah mocionin e mosbesimit të përmendur nga Lidhja Demokratike e Kosovës ndaj Qeverisë.

“Kjo s’do të thotë se ne do të ndryshojmë kursin dhe statusin aktual politik”, ka thënë mes tjerash kreu i PDK-së.

Vendimi për mocion mosbesimi nga LDK-ja është marrë pasi kryeministri Kurti ka shkarkuar Agim Veliun nga pozita e ministrit të Brendshëm.

Kuvendi pranon kërkesën për mocion mosbesimi ndaj qeverisë

XS
SM
MD
LG