Ndërlidhjet

Gjermania dhe Franca bëjnë thirrje për shtyrje të mocionit të mosbesimit


Flamuri i Francës dhe ai i Gjermanisë.

Ministritë e Jashtme të Gjermanisë dhe Francës kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët të martën përmes së cilës kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me situatën politike në Kosovë, në kohën kur, siç thuhet “është i nevojshëm uniteti politik për t’u përballur me krizën e COVID-19”.

“Kosovës i duhet një qeveri stabile dhe funksionale që të përballet me këtë krizë. Prandaj, ne ju bëjmë thirrje që votimi për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë të rishqyrtohet ose të shtyhet”.

Në deklaratën e përbashkët, Gjermania dhe Franca kanë shprehur pritjet e tyre që taksa 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje- Hercegovinës, të hiqet plotësisht më 1 prill, pasi Qeveria e Kosovës më 20 mars e hoqi atë vetëm për lëndën e parë.

Berlini dhe Parisi zyrtar thonë se kanë mirëpritur këtë vendim të qeverisë, si përpjekje për të rifilluar dialogun me Serbinë.

“Kur të jenë krijuar kushtet për rinisjen e dialogut dhe të jetë tejkaluar kriza me COVID-19, presidenti (i Francës, Emmanuel) Macron dhe kancelaria (gjermane, Angela) Merkel) planifikojnë të mbajnë një samit në Paris me pjesëmarrjen e të gjitha palëve dhe Përfaqësuesit të lartë (të BE-së, Josep) Borrell”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ministrive të Jashtme të Gjermanisë dhe Francës.

Kjo deklaratë është lëshuar një ditë para mbajtjes së seancës së mosbesimit kundër qeverisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur këtë proces, pasi nuk është pajtuar me vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për të shkarkuar Agim Veliun nga posti i ministrit të Brendshëm.

Ndërkohë ka reaguar edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt.

“Për të gjithë ata që ende besojnë në përralla dhe që ambasadorët nuk reflektojnë pozitën e qeverisë, ju lutem shikoni deklaratën e përbashkët të ministrive të Jashtme të Gjermanisë dhe Francës”, ka thënë Heldt.

Zhvillimet e fundit politike ndodhin në kohën e përhapjes së koronavirusit të ri.

Deri më tani 63 janë infektuar në Kosovë me këtë sëmundje, derisa një tjetër pacient ka vdekur.

Shumë qytetarë në Kosovë kanë protestuar nëpër ballkonet e tyre ditë më parë, për të shprehur pakënaqësitë që kanë ndaj zyrtarëve politikë dhe veprimeve të tyre së fundmi.

Mos dilni! Dilni! Koronavirusi përçan edhe më skenën politike në Kosovë
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:03:30 0:00

XS
SM
MD
LG