Ndërlidhjet

Në kërkim të një zgjidhjeje kushtetuese


Kosova duhet të gjejë një zgjidhje kushtetuese pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, është rekomandimi i ambasadorëve të vendeve të Quint-it në lidhje me përpjekjet e nisura nga presidenti Hashim Thaçi për formimin e një qeverie të re.

Ideja e Thaçit është kundërshtuar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili ka favorizuar që qeveria e tij të vazhdojë punën në detyrë deri në përfundimin e pandemisë së koronavirusit dhe më pas vendi të shkojë në zgjedhje.

Analistët politikë thanë për Radion Evropa e Lirë se zgjidhja patjetër që duhet të jetë kushtetuese.

Analisti dhe drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, thotë se askush nuk mund të imponojë asnjë lloj të formati të qeverisë pavarësisht deklarimeve të ndryshme në opinion.

Kryeziu thotë se veprimet në harmoni më Kushtetutën e Kosovës mund të çojnë deri të një qeveri e re e vendit apo edhe në zgjedhje të reja.

“Është në dorën dhe në vullnetin e partive politike të cilat janë në Kuvendin e Kosovës, por edhe të afateve kushtetuese për t’i dhënë adresim dhe zgjidhje çështjes aktuale për të përgatitur një proces, qoftë zgjedhor apo për të prodhuar një qeveri tjetër, e cila ka shumicën parlamentare. Janë këto dy opsione të cilat duhet të shkojnë në harmoni me Kushtetutën dhe me vullnetin politik të partive të përfaqësuara në Kuvend”, tha Kryeziu.

Ftesat që presidenti i vendit u bën partive politike, thotë Kryeziu, janë në frymën e Kushtetutës, për të marrë qëndrimet e subjekteve politike për veprimet që duhet të merren tutje.

“Në bazë të asaj që kemi parë, së paku nga deklaratat politike deri tani, shumica e subjekteve politike janë për të zgjedhur një qeveri e cila e ka burimin në shumicën parlamentare dhe e cila respekton kornizën kushtetuese. Dhe ne jemi në favor të respektimit të Kushtetutës, pavarësisht se kush apo cili koalicion do të qeverisë me Kosovën”, tha Kryeziu.

Njohësit e zhvillimeve politike, thonë se nëse partitë politike deklarohen se nuk janë të interesuar për një qeveri të re, atëherë presidenti i vendit mund të shpërndajë kuvendin dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Por, sipas tyre, subjekti politik i cili në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 doli fitues, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje, nuk mund të tejkalohet nga presidenti pa u pyetur se a mund të formojë një qeveri sërish.

Analisti Fisnik Halimi, tha për Radion Evropa e Lirë, se nuk ka dy opsione për të cilat po flitet se mund të ndodhin por, sipas tij, ka vetëm respektim të Kushtetutës.

“Një gjë është plotësisht evidente që Kushtetuta e njeh të drejtën që mandatari i dytë apo i tretë, në rast se e formon shumicën në Kuvend, ta themelojë qeverinë e ardhshme të Republikës së Kosovës pa shkuar në zgjedhje të reja. Pse themi pa shkuar në zgjedhje sepse ne kemi precedent kur kryeministri ishte ndërruar duke mos shkuar në zgjedhje të reja - e kemi rastin e ish-kryeministrve Bajram Kosumi dhe Agim Çeku”, tha Halimi.

Ai thotë se idetë që vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje për vazhdimin e punës së qeverisë në detyrë në një afat të pacaktuar, nuk janë të preferuara.

“Ajo që po paralajmërohet është që të krijohet një qeveri pa Lëvizjen Vetëvendosje dhe në të njëjtën kohë pa Partinë Demokratike të Kosovës. Mendoj se një qeveri që nuk e ka së paku njërën prej këtyre partive në përbërjen e vet do të jetë një qeveri e paqëndrueshme dhe e paduhur për kohën në të cilën po kalon Kosova”, tha Halimi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar ftesë zyrtare kryeministrit të Kosovës në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për takim konsultativ, në zyrën e presidentit, më 1 prill.

Në ftesën e presidentit Thaçi thuhet që pas mocionit të mosbesimit të qeverisë, ai do të ndërmarrë hapat e përcaktuar me Kushtetutë.

Kuvendi i Kosovës, ka votuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, me 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim. Mocioni ishte ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila është pjesë e qeverisë. Aktualisht qeveria është e dorëhequr, por në detyrë.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG