Ndërlidhjet

Punëtorët në Kosovë pranojnë ndihmë direkte nga autoritetet


Ilustrim.

Zëvendësministri në detyrë i Ministrisë së Financave dhe Transfereve në Qeverinë e Kosovës, Agim Krasniqi, ka thënë se bizneset që nuk janë aktive gjatë periudhës së koronavirusit, duhet të dorëzojnë listën e punëtorëve me të dhënat e tyre tek autoritetet, ashtu që këto të fundit të transferojnë mjetet e ndara financiare në këtë fushë drejtpërdrejt te punëtorët dhe jo kompanitë.

“Punëtorët munden që edhe në mënyrë individuale të lajmërohen në zyret e punësimit dhe të dorëzojne kontratën e punës dhe atë të ndërprerjes si dhe llogarinë e bankës, në mënyrë që të shmangen keqpërdorimet me mjetet financiare”, ka thënë Krasniqi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka thënë se ky vendim është marrë pas miratimit të Pakos Emergjente, përmes së cilës do të ndahen fonde shtesë për skemat sociale dhe pensionale, mbështetje financiare për shoqëritë tregtare, huadhënie për ndërmarrjet publike në vështirësi, për komunat, shtesa për mjekë, infermierë, policë, punëtorët e dyqaneve, furrave, farmacive, e shtesa për kategori të tjera.

Vlera e Pakos së miratuar nga Qeveria e Kosovës kap vlerën e 179.6 milionë eurove.

Deri më tani në Kosovë është raportuar për 125 persona të prekur dhe një të vdekur me koronavirus.

Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje.

XS
SM
MD
LG