Ndërlidhjet

Përplasje mes presidencës dhe qeverisë për pandeminë në veri


Ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se situata e krijuar me pandeminë në komunat e veriut të Kosovës është e papranueshme.

Sipas tij kjo është rezultat i neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’i ndihmuar e mbrojtur qytetarët dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk guxon të lejojë që komunat në pjesën veriore të Kosovës të funksionojnë jashtë kontrollit menaxhues të institucioneve dhe organeve kompetente për parandalimin e pandemisë COVID-19, duke iu krijuar kështu hapësirë ilegale vepruese autoriteteve të Serbisë brenda territorit të shtetit tonë”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social Facebook.

Çfarë thotë qeveria në detyrë?

Dy komunat në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani, tashmë si masë mbrojtëse për parandalimin e përjapjes së Covid-19, që njihet si koronavirusi i ri, kanë aplikuar futjen në karantinë.

Por, qeveria e Kosovës në detyrë, konfirmon se ka kontakte me zyrtarët e të dy komunave, por nuk sqaron se pse këto komuna vazhdojnë të aplikojnë masat e shtetit të Serbisë, për luftë kundër koronavirusit.

Veriu me masa kufizimi të lëvizjes
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:14 0:00

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës në detyrë kanë theksuar se Ministria e Shëndetësisë është plotësisht e përfshirë në situatën emergjente të shëndetit publik në komunat veriore të vendit, në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveçan.

Ushtruesi i Detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Mitrovica e Veriut dhe Zveçanit janë futur në karantinë për shkak të 16 rasteve të konfirmuara me koronavirus.

Me anë të një postimi Sveçla ka thënë se masat janë ndërmarrë nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Ai nuk ka treguar nëse karantinimi është rekomanduar nga institucionet e Kosovës apo Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

“Komuna veriore e Mitrovicës dhe komuna e Zveçanit janë vendosur në karantinë për shkak të 16 rasteve të testuara pozitivisht me Covid-19. Sipas vlerësimeve dhe kërkesave të ekspertëve shëndetësorë, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në bashkërendim me të gjitha Institucionet ka ndërmarrë vendimet dhe masat e duhura”, ka shkruar Sveçla.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës në detyrë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë që ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia është në kontakt të rregullt me kryetarët dhe autoritetet përgjegjëse në këto komuna.

“Duhet t’ia rikujtojmë vetes se po ballafaqohemi me një krizë shëndetësore, për çka të gjitha institucionet e përfshira janë në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me qëllim të tejkalimt të kësaj krize sa më shpejt e me sa më pak dëme. Ky virus nuk njeh as racë e as nacionalitet, prandaj edhe trajtimi i tij dhe diskutimi mbi të as nuk mund dhe as nuk duhet të trajtohet mbi këto baza”, ka thënë Kryeziu.

Megjithatë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës nuk kanë dhënë ndonjë sqarim, apo koment, lidhur me situatën në të cilën Shtabi i krizës për luftë kundër koronavirusit në Mitrovicën e veriut dhe ai në Zveçan, kanë ndërmarrë masa që bien ndesh me ato që tashmë janë në fuqi nga Qeveria e Kosovës.

Ndalimi i lëvizjes, në bazë të masave të Qeverisë së Kosovës, është në fuqi nga ora 17 deri në orën 6 të mëngjesit, për çdo ditë.

Reagon LDK-ja

Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Përmes një komunikate për media, LDK-ja thotë se “situate në veriun e vendit, përveç problemeve me pandeminë po përkeqësohet edhe me ndërhyrjet e vazhdueshme të Beogradit”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shpreh shqetësimin e saj se si vendimet e autoriteteve të Serbisë po zbatohen për vendosjen në karantinë të komunave në veri. Edhe më shqetësuese është fakti i heshtjes së Qeverisë së Kosovës përballë këtij ataku të drejtpërdrejt të sovranitetit të shtetit”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Komuna e Mitrovicës së Veriut, që nga ora 18 e ditës së premte, më 3 prill, është në karantinë. Një vendim të tillë e ka sjellë Shtabi i krizës për luftë kundër koronavirusit i kësaj komune në veri të Kosovës.

Gjithashtu,është vendosur që të gjitha shitoret në territorin e kësaj komune të mbyllen që nga ora 13 e ditës së shtunë, më 4 prill e deri të hënën, më 6 prill, në orën 5 të mëngjesit. Qytetarët e Mitrovicës së Veriut, deri në momentin e mbylljes së dyqaneve kanë shkuar pë të blerë mallëra të konsumit të përditshëm.

Me vendimin e Shtabit të krizës në karantinë është futur edhe vendbanimi shumetnik Lagjja e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, banorët shqiptarë të së cilës po e kundërshtojnë ndalimin e shkuarjes për furnizim në anën jugore të qytetit të Mitrovicës, nga e cila i ndanë lumi Ibër.

Zëvendësi i kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Aleksandar Spiriq, i cili njëkohësisht është edhe kryetari i Shtabit të krizave të Mitrovicës së Veriut dhe kryetar i të ashtuquajturit Organ i Përkohshëm i Komunës së Mitrovicës, i cili vepron brenda sistemit serb, nuk ka dashur të përgjigjet në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se a është Prishtina zyrtare e njoftuar për masat që janë marrë në Mitrovicën e veriut.

Në këtë stuatë nuk ka vend për politikë, ka deklaruar Spiriq.

Por, zëvendëskyesuesi i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut Bashkim Cimili, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë që masat për tu përballur me Covid-19, që njihet si koronavirusi i ri, janë të domosdoshme, por ato duhet t’i ndërmarrë Qeveria e Kosovës dhe jo institucionet paralele.

“Lidhur me futjen e në karantinë të Mitrovicës së Veriut, unë mendoj që në një vend ku ka njerëz të infektuar me Covid-19, është në rregull që të futet në karantinë. Por, kam pritë nga institucionet qendrore, përkatësisht nga Ministria e Shëndetësisë, që të marrin një hapo të tillë e asnjëherë nuk kam pritur që këtë ta bëjnë strukturat paralele të Serbisë, të vendosura në Mitrovicën e Veriut. Deri më tash, nga Qeveria e Kosovës nuk kemi asnjë të mirë, asnjë telefonatë dhe mendoj që nuk është kudjesur deri më tash aspak”, tha Cimili.

Rreth tre kilometra nga qendra e Mitrovicës, Shtabi i krizës në komunën e Zveçanit ka vendosur edhe masat e ndalimit të lëvizjes për të gjithë qytetarët prej orës 13 të ditës së shtunë e deri në orën 5 të mëngjesit të ditës së hënë, masa këto që janë në fuqi edhe në Serbi.

Deri të premten në mbrëmje, në Mitrovicën e veriut dhe në Zveçan janë identifikuar 16 persona të infektuar me virusin Covid-19, që njihet si koronavirusi i ri.

Lumi Ibër e ndanë qytetin e Mitrovicës, në pjesën jugore të banuar me shumicë shqiptare dhe në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe.

XS
SM
MD
LG