Ndërlidhjet

Dita Botërore e Shëndetit shënohet përmes përkrahjes së grave në sektorin e shëndetësisë


Stafi mjekësor në Kosovë.

Programi për fuqizimin e grave dhe barazinë gjinore i Kombeve të Bashkuara “UN Women” ka lansuar fushatën “Të mbështesim infermieret dhe mamitë.”

Përmes një njoftimi të zyrës së kësaj organizate në Prishtinë, bëhet e ditur se fushata është realizuar në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Fondin për Popullatën të Kombeve të Bashkuara (UNFPA)

“Duke pasur parasysh situatën e pandemisë COVID-19 me të cilën po ballafaqohet e tërë bota, këtë vit Dita Botërore e Shëndetit ka për qëllim lartësimin e rolit jetësor të cilin e kanë punëtoret shëndetësore në luftën ndaj pandemisë”, thuhet në njoftim.

Fushata organizohet në tërë botë me rastin e 7 prillit, Ditës Botërore të Shëndetit.

“Në këtë kohë të pandemisë, mjekët, infermierët, mamitë dhe punëtorët e tjerë të kujdesit shëndetësor në të gjithë botën po rrezikojnë mirëqenien e tyre për t'u kujdesur për të gjithë ne. Sot, në Ditën Botërore të Shëndetit ju falenderohemi atyre”, thuhet në njoftimin e organizatës.

Anisa Bina nga Organizata “UN Women”, i tha Radios Evropa e Lirë, se fushata do të zgjasë një javë.

“Duke marrë parasysh situatën e pandemisë, dhe rregullat për të qëndruar në shtëpi, aktivitetet në kuadër të kësaj fushate vetëdijësuese do të jenë vetëm online”, tha ajo.

Në të gjithë botën, llogaritet se rreth 70 për qind e punonjësve të sektorit shëndetësor dhe shërbimeve sociale janë gra.

“Megjithatë ato paguhen 11 për qind më pak se burrat në profesione të njejta. Në Kosovë grate përbëjnë 65% të punëtorëve në sektorin shëndetësor. Shumë nga to janë në profesione që i vendosin në vijën e parë të përgjigjes ndaj COVID-19”, thotë organizata UN Women.

XS
SM
MD
LG