Ndërlidhjet

Qeveria në detyrë e Kosovës planifikon pakon e dytë për rimëkëmbje ekonomike


Qeveria e Kosovës

Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik i Kosovës ka diskutuar hapat e mëtutjeshëm me qëllim të zbutjes së ndikimit negativ në ekonominë e vendit të shkaktuar nga pandemia COVID-19.

Ekonomia e Kosovës konsiderohet të jetë ndikuar negativisht nga situata e krijuar me pandeminë e koronavirusit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, theksoi se përveç masave për t’i dalë në ndihmë shëndetit publik, qeveria në detyrë ka marrë edhe masat për t’i dalë në ndihmë shëndetit ekonomik.

“Pakoja emergjente fiskale është ndihma e parë që i jepet pacientit në emergjencë, ajo nuk është terapia afatgjatë që i jepet për kurim. Qeveria në detyrë është duke e planifikuar pakon e dytë, atë të rimëkëmbjes ekonomike e cila të jetë shumë më e madhe se pakoja emergjente dhe do të ketë kohështrirje shumë më të gjatë”, ka thënë Kurti.

Qeveria e Kosovës ka miratuar tanimë pakon e parë emergjente në vlerë prej rreth 180 milionë euro, një pjesë e të cilave janë paraparë për ndihmë ekonomisë, por të cilat janë konsideruar të pamjaftueshme nga bizneset.

Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit kanë kërkuar që pakoja e radhës të jetë në koordinim me të gjithë dhe sipas tyre, duhet të synohet që përmes saj të sigurohet minimizimi i humbjeve dhe jo kompensimi i tyre.

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës Arian Zeka, tha se ka pasur dialog në mes të qeverisë dhe shoqatave ekonomike, mirëpo jo koordinim dhe si pasojë e kësaj një pjesë e madhe e rekomandimeve të bizneseve nuk janë marrë parasysh në pakon emergjente.

Për t’u përballur me virusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19 Bashkimi Evropian ka ndarë 68 milionë euro për Kosovën.

Sipas BE-së, 5 milionë do të shkojnë për nevoja të menjëhershëm për ta luftuar COVID-19, 50 milionë për ta përballuar krizën ekonomike si dhe 13 milionë do të transferohen në buxhet të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ofruar Kosovës 1.1 milion euro për luftimin e koronavirusit.

XS
SM
MD
LG