Ndërlidhjet

BE kërkon “qasje graduale” ndaj lehtësimit të izolimit


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Bashkimi Evropian ka bërë publike rekomandimet për vendet anëtare, që duan të lehtësojnë masat e izolimit nga koronavirusi.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se parakushtet kryesore për shtetet janë që të kenë rënie të dukshme të numrit të të infektuarve, kapacitete të mjaftueshme në sistemet e tyre shëndetësore dhe monitorim adekuat.

“Në përgjithësi, ne rekomandojmë qasje graduale dhe çdo veprim duhet të monitorohet vazhdimisht", tha von der Leyen.

Sipas saj, qëllim i rekomandimeve është “të sigurohet një dalje e koordinuar nga masat e kontrollit”.

Këtë javë, disa vende të Bashkimit Evropian kanë nisur t’i lehtësojnë masat e izolimit kundër përhapjes së koronavirusit.

Prej tyre, edhe Italia - vendi më i goditur i Evropës, me më shumë se 21,000 viktima nga koronavirusi - i ka lejuar disa firma të rifillojnë operimet.

Çfarë thotë OBSH-ja për heqjen e masave të izolimit?

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar gjashtë kushte për vendet që konsiderojnë relaksimin e izolimit:

  • Transmetimi duhet të kontrollohet;
  • Sistemet shëndetësore kanë kapacitet për të zbuluar, testuar, izoluar dhe trajtuar çdo rast dhe gjurmuar çdo kontakt;
  • Rreziqet e shpërthimit në ambiente të veçanta, si objektet shëndetësore dhe shtëpitë e pleqve, minimizohen;
  • Masat parandaluese ndërmerren në vende të punës, shkolla dhe vende të tjera ku njerëzit domosdoshmërisht shkojnë;
  • Rastet e importuara menaxhohen;
  • Komunitetet janë plotësisht të informuara, të angazhuara dhe të afta për t’u përshtatur me "normën e re".
XS
SM
MD
LG