Ndërlidhjet

SHBA-ja e përshëndet bisedën e zhvilluar ndërmjet ministrave Vitia dhe Llonçar


Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett

Ministrat e Shëndetësisë së Kosovës dhe Serbisë, Arben Vitia dhe Zllatibor Llonçar kanë zhvilluar një bisedë përmes një video-lidhjeje, ku kanë diskutuar masat kundër përhapjes së koronavirusit të ri.

Kjo është bërë e ditur nga ambasadorët e SHBA-së në Kosovë dhe Serbi, Philip Kosnett dhe Anthony Godfrey, të cilët kanë publikuar në rrjetin social Twitter një mesazh të përbashkët, përmes të cilit e kanë përshendetur këtë iniciativë.

"Në këtë kohë të pandemisë është inkurajuese të shohësh ministrat e shëndetësisë duke bashkëpunuar si fqinjë, për t'iu shërbyer dhe mbrojtur të gjitha komunitetet në Kosovë dhe Serbi. Ne lavdërojmë përpjekjet e personelit shëndetësorë dhe të tjervëve që janë në detyrë për të mbajtur qytetarët e Serbisë dhe Kosovës të sigurt", tha ambasadori amerikan në Kosovës, Philip Kosnett.

Ndërkaq ambasadori i SHBA-së në Serbi, Anthony Godfrey e falenderoi qeverinë e Italisë për këtë iniciativë duke shtuar se nga ky bashkëpunim do të shpëtohen jetë.

"Beogradi dhe Prishtina po punojnë bashkë në mënyrë praktike për të shpëtuar jetë në kohën e pandemisë duke shkëmbyer pajisje dhe ekspertizën", tha Godfrey.

Ndërkohë, në një njoftim të Ministisë së Shëndetësisë në Kosovës, thuhet se ministri në detyrë i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, ka biseduar me homologët e tij të shteteve fqinje.

“Të gjithë, ministrja e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, ministri i Malit të Zi, Kenan Hrapović, ai i Serbisë, Zlatibor Lonçar dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe vlerësuan se gjendja duhet trajtuar me përgjegjësi maksimale dhe ndihma duhet të jetë e shpejtë dhe reciproke”.

“Pandemia është problem i përbashkët dhe të gjithë shtetet e Ballkanit duhet të lehtësojnë me sa mundet njëri-tjetrin në përvoja dhe ndihma profesionale. Udhët e qarkullimit për mallrat, personelin shëndetësor dhe pajisje mjekësore duhet të jenë të lira", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kosova ka 423 raste të konfirmuara me koronavirus; 11 pacientë kanë vdekur, ndërsa 74 janë shëruar.


XS
SM
MD
LG