Ndërlidhjet

SHBA-ja uron Kosovën për arritjen e marrëveshjes energjetike


Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka uruar Kosovën për arritjen e Marrëveshjes me Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) dhe anëtarët e Grupit Rajonal të Evropës Kontinentale lidhur me kushtet që duhet plotësuar për t’u lidhur me rrjetin elektrik evropian.

Në një komunikatë për media të ambasadës amerikane, thuhet se “miratimi i kësaj marrëveshjeje arrin kulminacionin e projektit të filluar në vitin 2013, për të sjellur siguri energjetike më të madhe për rajonin”.

“Ne mezi presim që të vazhdojmë të punojmë me Kosovën dhe partnerët e saj të shumtë gjersa ajo zbaton këtë vendim dhe vazhdon integrimin e saj në komunitetin evropian” është thënë mes tjerash në komunikatë.

Marrëveshja e re e Kyçjes në mes të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) është votuar ditën e hënë.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje Republika e Kosovës do të kontrollojë kufijtë e vet energjetikë, duke dalë përfundimisht nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe duke iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.

XS
SM
MD
LG