Ndërlidhjet

Gjermani: Nis gjyqi i parë për torturën shtetërore siriane


Ilustrim.

Dy burra të akuzuar për kryerje të krimeve kundër njerëzimit për shtetin e Sirisë, janë përballur me proces gjyqësor të enjten në Gjermani.

Ky besohet se është rasti i parë në botë që synon të përcaktojë shkallën e torturës së përdorur nën udhëheqësinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Dy personat, të identifikuar si Anwar R dhe Eyad A, dyshohet se kanë punuar si zyrtarë qeveritarë të inteligjencës.

Të dy kanë ikur nga Siria në kohën e vazhdimit të luftës civile dhe kanë aplikuar për azil në Gjermani, ku edhe janë arrestuar më 2019.

Avokatët e të dy burrave kanë mohuar që të flasin për këtë rast para gazetarëve në Kobllenz.

Presidenti Assad dhe qeveria e tij kanë mohuar vazhdimisht përdorimin e dhunës.

Mirëpo një raport i ekspertëve për të drejtat e njeriut në kuadër të Kombeve të Bashkuara, i publikuar në mars të vitit 2018, ka treguar që Qeveria Siriane ka ndaluar dhjetëra mijëra persona, të cilët kanë qenë subjekte të “formave të ndryshme të torturës brutale.

Balkees Jarrah nga organizata Huam Rights Watch e ka konsideruar gjyqin “moment vendimtar”.

“Procedurat e ditës së sotme duhet të shërbejnë si përkujtues që duhet bërë më shumë për të siguruar përgjegjësi për mizoritë e tmerrshme të konfliktit”, ka thënë ajo përmes një deklarate.

Autoritetet gjermane janë duke hetuar dhjetëra ish-zyrtarë sirianë nën parimin e “gjyqit universal”, i cili u lejon shteteve të ndëshkojnë ata persona që janë të akuzuar për krime të luftës, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

Protestat kundër regjimit të Assadit kanë nisur të mars të vitit 2011. Nëntë vjet më vonë, Siria ende përballet me luftë civile.

XS
SM
MD
LG