Ndërlidhjet

Dodik: Ndarja nuk është në agjendë, por duam më shumë autonomi


Anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës, Millorad Dodik.

Anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, tha se serbët e Bosnjës janë të gatshëm të ruajnë integritetin e vendit si një shtet, por vetëm nëse fitojnë "më shumë autonomi".

Në një intervistë telefonike me Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, më 23 prill, Dodik tha se është '' e vështirë '' për serbët '' të kuptojnë se jemi pjesë e Bosnje dhe Hercegovinës”.

Por, ai këmbënguli që shkëputja nuk është në agjendën e Republikës Serbe, entitetit me shumicë serbe në Bosnje.

Dodik tha se kjo çështje mund të vijë në konsideratë si një mundësi në "të ardhmen e largët", nëse nuk respektohen pikëpamjet e serbëve të Bosnjës.

"Ne jemi të gatshëm të ruajmë Bosnje dhe Hercegovinën si një shtet në territorin e saj aktual. Por, në të njëjtën kohë, duhet të kemi më shumë autonomi sesa kemi sot”, tha Dodik.

Bosnja mbetet thellësisht e ndarë përgjatë vijave etnike. Vendi doli nga lufta e viteve 1992-95 si dy rajone autonome - Federata kryesisht Boshnjako-Kroate e Bosnje-Hercegovinës dhe Republika Serbe. Të dyja këto entitete janë të bashkuara nën një qeveri të dobët qendrore.

Dodik ka kërkuar vazhdimisht një referendum për statusin e entitetit të udhëhequr nga serbët, duke thënë se serbët kanë të drejtë të vendosnin të ardhmen e tyre.

Tensionet janë shtuar në vendin e Ballkanit, pasi Gjykata Kushtetuese në muajin shkurt, vendosi që toka bujqësore të bëhet pronë e autoriteteve qendrore dhe jo e Republikës Serbe.

XS
SM
MD
LG