Ndërlidhjet

Hungaria nënshkruan me Kinën kredinë për hekurudhën Budapest- Beograd


Një pjesë e hekurudhës që po ndërtohet në Serbi, fotografi nga arkivi.
Një pjesë e hekurudhës që po ndërtohet në Serbi, fotografi nga arkivi.

Hungaria dhe Kina kanë nënshkruar një marrëveshje kredie për të financuar ndërtimin e një lidhje hekurudhore midis Budapestit dhe Beogradit, njoftoi të premten ministri i Financave në Hungari, Mihaly Varga.

Përmes një video në faqen e tij në Facebook, Varga tha se kredia mban një normë fikse të interesit dhe një mundësi të ripagimit të parakohshëm, por ai nuk tregoi më shumë detaje se cilat ishin këto kushte, raporton Reuters.

"Ne kemi një marrëveshje kredie që është e dobishme dhe e sigurt për Hungarinë," tha Varga në video, duke shtuar se kushtet e kredisë ishin "të favorshme".

Rreth 85% e financimit vjen nga Kina në formën e kredisë, ndërsa 15% sigurohet nga Hungaria, tha ai.

Varga tha se lidhja e re hekurudhore, që do të përfundojë deri në vitin 2025, do të lejojë që Hungaria të jetë një qendër evropiane e transportit, pasi mallrat kineze mund të udhëtojnë nga Greqia në Evropën Perëndimore.

Në fillim të muajit, Hungaria hartoi një ligj që mbante të gjitha informacionet për kontratat për projektin hekurudhor Budapest-Beograd me vlerë 2.1 miliardë dollarë.

Në fund të vitit të kaluar, gjatë një vizite në Maqedoninë e Veriut, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, paralajmëroi udhëheqësit e vendeve të Ballkanit për rreziqet e mundshme nga investimet kineze në teknologji dhe projekte të mëdha të infrastrukturës.

"Siç e kam theksuar kudo në Evropë, unë i paralajmërova për rreziqet e investimeve kineze në teknologjitë e ndjeshme dhe strategjinë e ryshfetit të Kinës, për të siguruar marrëveshje të infrastrukturës", tha Pompeo pas takimit me zyrtarë të lartë të Maqedonisë së Veriut.

Kina i ka përfshirë disa vende të Ballkanit në projektin e saj infrastrukturor “Rruga e Mëndafshit”, i cili vlerësohet deri në 1 trilion dollarë, dhe ka për qëllim ndërtimin e lidhjeve tokësore dhe detare për të lejuar eksportet kineze të lëvizin drejt Perëndimit.

Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të BE-së kanë kritikuar projektin e Kinës dhe huat që ky vend jep për infrastrukturën rajonale, duke paralajmëruar se këto hua, kanë zhytur disa vende në zhvillim në borxhe, të cilat ata nuk mund t’i paguajnë.

XS
SM
MD
LG