Ndërlidhjet

Kina “do të bëjë gjithçka” që Trump të humbë zgjedhjet


Presidenti amerikan, Donald Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Kina “do të bëjë gjithçka që mundet” ashtu që ai të humbë në zgjedhjet për president, duke shtuar kështu kritikat ndaj Pekinit në kohën e pandemisë me koronavirus.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Reuters, ai ka thënë se Pekini përballet me “shumë” pasoja të mundshme nga Shtetet e Bashkuara për shkak të shpërthimit të virusit.

Ai ka thënë se Kina është dashur t’i tregojë botës shumë më herët për sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Mirëpo vetë Trump akuzohet shpesh se nuk ka bërë mjaftueshëm për ta luftuar krizën, pasi koronavirusi ka dëmtuar rëndë ekonominë amerikane, e cila ka qenë pika kyçe e Trumpit në garën për rizgjedhje në muajin nëntor.

Trump, i cili ka nisur një luftë tregtare me Kinën, nuk ka ofruar detaje se si mund të veprojë kundër Kinës.

“Ka shumë gjëra që unë mund të bëjë. Do të shohim çfarë po ndodh”.

Ai ka shtuar se: Kina do të bëjë gjithçka që unë të humb në këtë garë”.

Presidenti republikan ka thënë se beson që Pekini dëshiron më shumë që konkurenti i tij demokrat, Joe Biden të fitojë zgjedhjet.

Trump po ashtu i ka vënë në dyshim të dhënat që tregojnë se Biden mund të fitojë.

“Nuk iu besoj sondazheve. Besoj se njerëzit e këtij kombi janë të mençur. Nuk mendoj se ata do ta zgjedhin një njeri që nuk është kompetent”.

Mediat amerikane kanë raportuar të mërkurën se Trump ka qenë i ashpër me këshilltarët e tij politikë të premten e javës së kaluar, pasi disa sondazhe të brendshme kanë parashikuar humbjen tij në disa shtete kyçe.

Ndihmësit e tij kanë dyshime nëse Trump do të fitojë në shtetet si Florida, Viskonsin dhe Arizona, derisa disa pjesëtarë të ekipit të tij për rizgjedhje kanë humbur shpresat për ndonjë sukeses në Miçigan, ka raportuar agjencia e lajmeve, Associated Press.

XS
SM
MD
LG