Ndërlidhjet

Mustafa: Do ta respektojmë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se partia që ai drejton nuk do ta shkelë asnjë procedurë dhe do të respektojë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese.

“Në qoftë se merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese ne nuk do të lëvizim në Kuvend fare, por do ta presim që ajo ta marrë vendimin përfundimtar, ne nuk do ta shkelim asnjë rast as një procedurë të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Mustafa.

Pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së partisë, Mustafa së bashku me kandidatin për kryeministër, Avdullah Hoti kanë thënë se nuk ka arsye që të merret masë e parakohshme ndaj dekretit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi

Mustafa ka thënë se të gjitha arsyet e Lëvizjes Vetëvendosje, që janë parashtruar në kërkesë janë paragjykime.

“Ne jemi gatshëm që çdo moment të shkojmë në Kuvend që të bëhet qeveria, po jemi të gatshëm po ashtu që të respektojmë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese sa i përket këtij procesi, sepse dëshirojmë që procesi të jetë krejtësisht kushtetues. Ne nuk dyshojmë që të gjitha masat të cilat janë marrë deri më tash nuk kanë qenë kushtetuese, edhe dekreti i presidentit, edhe fazat deri te ky dekret, por meqenëse çështja është iniciuar në Gjykatën Kushtetuese, në do t’i respektojmë të gjitha ato. Por, po ashtu mendojmë që askush përpos Gjykatës Kushtetuese, nuk ka të drejtë të pengojë mbajtjen e seancës së nesërme të Kuvendit”, është shprehur Mustafa.

Kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti ka treguar se qeveria që do të udhëhiqet nga ai, do të ketë 16 ministri, por nuk ka treguar se cilët do të jetë ministrat nga radhët e LDK-së.

“Ende nuk e kemi caktuar kabinetin nga ana e LDK-së. Kemi bërë një rishikim riorganizim të ministrive për të ruajtur funksionalitetin”, ka thënë Hoti.

Kryetari i LDK-së, Mustafa, ka thënë po ashtu se me Aleancën Kosova e Re, ende nuk e kanë nënshkruar koalicionin, por që janë marrë vesh më herët që edhe ajo të jetë pjesë e koalicionit.

Mustafa ka folur edhe për marrëveshjen me Listën Serbe, e cila sipas tij do të bëhet publike.

“Asgjë nuk ka në atë marrëveshje që nuk ka në marrëveshjet me subjektet tjera, dhe nuk ka asnjë obligim specifik ndaj apo prej Listës Serbe”, ka deklaruar mes tjerash Mustafa.

Procedurat për formimin e qeverisë së re pasojnë iniciimin e mocionit të mosbesimit nga LDK-ja kundër qeverisë tashmë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti.

Në mesin e arsyeve për ngritjen e mocionit janë përmendur marrëdhëniet që së fundmi ka Kosova me Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimi i Agim Veliut nga pozita e Ministrit të Brendshëm.

Kurti në anën tjetër ka sfiduar vendimin për formim të qeverisë së re nga LDK-ja në Gjykatën Kushtetuese.

XS
SM
MD
LG