Ndërlidhjet

LVV kërkon zgjedhje, LDK thotë se ka dekretin për formimin e qeverisë


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Kryeminisri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh edhe lider i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja dhe se subjektit të tij partiak i konvenon data 14 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Këto deklarata Kurti i ka bërë në faqen e Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook, duke theksuar që subjekti politik që ai drejton nuk është i vetmi që kërkon zgjedhje të reja, por edhe Partia Demokratike e Kosovës.

“Pas LVV, tash edhe PDK u shpreh për zgjedhje të reja në Kosovë. Dihet se qeverinë e re të synuar nga presidenti nuk e përkrah as kryeparlamentarja si dhe disa deputetë të tjerë. Ky është një argument shtesë që veçse në zgjedhje duhet të shkojmë. Ndërkohë, masat ndaj pandemisë COVID-19 po zbuten ca. Neve si LVV do të na konvenonte e diela e 14 qershorit 2020 për zgjedhje”, ka thënë Kurti.

Por, zyrtarët e Lidhjes Demokraike të Kosovës, e cila ende është partner formal i koalicionit qeverisës në detyrë, por e cila po synon krijimin e qeverisë së re, kanë thënë se nuk shohin indikacione për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Në një konferencë për medie, deputeti i LDK-së, Arban Abrashi, ka deklaruar që partia e tij tashmë e ka marrë dekretin nga presidenti për mandatarin që do ta formojë qeverinë e re.

“Ne e kemi marrë dekretin, në bazë të rregullave kushtetuese dhe ligjore. Është e drejtë e të tjerëve që të ankohen dhe që të kërkojnë masë. Masa e përkohshme, pak a shumë, është një procedurë e zakonshme në raste të tilla. Ne e kemi përshëndetur këtë masë dhe e respektojmë vendimin rreth kësaj mase. Por, ftojmë të gjitha subjektet politike që ta bëjnë të njëjtën dhe të respektojnë edhe vendimet tjera të Gjykatës Kushetuese”, ka thënë Abrashi.

Komentet e zyrtarëve të të dy partive politike, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, vijnë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur në favor të kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për të pezulluar deri më 29 maj zbatimin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi për kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, për pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës, derisa të shqyrtojë lëndën lidhur me kushtetutshmërinë e vendimit të presidentit.

XS
SM
MD
LG