Ndërlidhjet

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit kërkohet mbrojtje për gazetarët gjatë pandemisë


Ilustrim.

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, këtë vit, i gjen gazetarët nën presionin dhe kërcënimet e autoriteteve në shumë vende të botës, të cilat po e përdorin pandeminë e koronavirusit për të goditur median.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se situata me pandeminë ka shkaktuar dezinformata, këshilla të dëmshme shëndetësore dhe madje edhe teori të komplotit.

Kufizimet e lëvizjes, sado të rëndësishme në luftën kundër pandemisë, "nuk duhet të keqpërdoren si një justifikim për të goditur aftësinë e gazetarëve për të bërë punën e tyre", tha Guterres në një deklaratë.

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit shënohet çdo vit më 3 maj.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha përmes një deklarate se në kohën e pandemisë "është veçanërisht e rëndësishme që si gazetarët ashtu edhe ata qytetarët të jenë të lirë të raportojnë atë që shohin dhe dëgjojnë, dhe të shprehin hapur mendimet e tyre".

Ai tha se në një kohë kur të gjithë zyrtarët publik duhet të mbrojnë median e pavarur, disa qeveri po përhapin me qëllim dezinformimin, duke censuruar informacionin e saktë dhe të dobishëm dhe "duke kufizuar në mënyrë agresive" aftësinë e gazetarëve të pavarur për t'i shërbyer publikut.

Edhe udhëheqësit e institucioneve të Kosovës e kanë ngritur çështjen e presioneve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe nevojën për të mbrojtur lirinë e shtypit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë përmes një postimi në rrjetin social Facebook, se mediat sociale janë shumë të rëndësishme në përhapjen e lajmeve dhe informatave, megjithatë, sipas tij ato e kanë shtuar edhe mundësinë e keqpërdorimit të lirisë së të shprehurit, duke keqinformuar dhe mashtruar publikun.

"Prandaj, sot duhet edhe më shumë të angazhohemi që t'i mbrojmë, në nivel global, lirinë e të shprehur dhe shtypit nga presionet e kërcënimet, por edhe nga abuzimet që bëhen në emër të tyre", ka shkruar Thaçi.

Për të shënuar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Asosacioni i Gazetarëve të Kosovës ka publikuar mesazhet e një numri të gazetarëve të cilët kanë qenën ë një formë apo tjetrën, të sulmuar ndërmjet periudhës 3 maj 2019 – 3 maj 2020.

Më 21 prill, organizata Reporterët pa Kufij, ka thënë se koronavirusit i ka rritur kërcënimet ndaj lirisë së mediave në gjithë botën, ku regjimet autoritare, si Kina dhe Irani, janë duke i ngufatur të dhënat rreth sëmundjes, thuhet në raportin më të ri të organizatës së Reporterëve pa Kufij.

Përhapja e sëmundjes “është duke i forcuar shumë kriza” që veçmë kanë hedhur hije mbi lirinë e shprehjes, thotë organizata me seli në Paris, për të shtuar se pandemia “i ka inkurajuar disa regjime që të përfitojnë nga fakti se njerëzit janë të izoluar”.

Raporti i Reporterëve pa Kufij analizon situatën e gazetarëve çdo vit në 180 vende dhe territore.

Në indeksin e sivjetmë, Kosova renditet e 70-ta, pesë pozita më mirë se vitin e kaluar, kur ka qenë e 75-ta.

XS
SM
MD
LG