Ndërlidhjet

Komuniteti LGBT përballet me "diskriminim të vazhdueshëm"


Ilustrim.
Ilustrim.

Një sondazh i Agjencisë së Bashkimit Evropian për të Drejta Themelore, ka treguar se gati 40 për qind e personave të komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor) në Bashkimin Evropian janë ngacmuar, derisa gjashtë në 10 kanë qenë të frikësuar për të bashkuar duart në publik, për shkak të mundësisë së ngacmimit apo sulmit.

Kjo Agjenci me bazë në Vjenë ka thënë më 14 maj se rreth 140,000 pjesëtarë të këtij komuniteti në BE, ashtu sikurse në Britani, Serbi dhe Maqedoni të Veriut kanë marrë pjesë në këtë sondazh, i cili ka treguar pak përparim prej studimit të tillë të fundit, që është realizuar më 2012.

“Shumë pjesëtarë të komunitetit LGBT vazhdojnë të jetojnë në hije, të frikësuar se mund të diskriminohen apo edhe sulmohen”, ka thënë shefi i kësaj Agjencie, Michael O’Flaherty.

“Ndonëse disa shtete kanë përmirësuar barazinë e komunitetit, sondazhi ynë tregon se në përgjithësi është bërë shumë pak përparim, çka ka ndikuar në ndjeshmërinë e komunitetit LGBTI. Diskriminimi në baza ditore vazhdon”, ka shtuar ai.

Një e pesta e respodentëve kanë thënë se janë ndjerë të diskriminuar në punë, derisa një e treta kanë thënë se përballen me trajtim të padrejtë në restorante apo kafene.

Numri i personave që tregojnë vazhdimisht se i përkasin këtij komuniteti është rritur nga 36 në 52 për qind, në krahasim me studimin e vitit 2012, derisa përqindja e studentëve që fshehin identitetin e tyre në shkolla ka rënë nga 47 në 41 për qind.

Polonia, ku partia në pushtet, Ligji dhe Drejtësia, i ka cilësuar pjesëtarët e komunitetit LGBT, si forcë e jashtme pushtuese, ka raportuar shkallën më të madhe të atyre që janë ankuar për mungesë të tolerancës, e përcjellë nga Franca, e cila së fundmi është përballur me rritje të sulmeve homofobike.

XS
SM
MD
LG