Ndërlidhjet

Policia ndalon 20 persona që nuk respektuan masat kundër koronavirusit 


Policia e Kosovës ka ndaluar 20 persona, të cilët nuk kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet, që kanë për qëllim luftimin e koronavirusit.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në Komunën e Pejës është numri më i madh i të ndaluarve, përkatësisht 11 persona, pasuar nga komuna e Mitrovicës së jugut me 3 persona.

Në Kosovë, që nga 4 maji ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Qytetarët kanë të drejtë të dalin tre orë në ditë dhe orari i qarkullimit është i rregulluar në bazë të shifrës së parafundit të numrit personal të letërnjoftimit.

Kurse, në fazën e dytë e cila pritet të nisë nga 18 maji, qytetarët kanë të drejtë të dalin dy herë nga dy orë në ditë, varësisht nga numri i fundit në letërnjoftim.

Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, tha se ky vendim është marrë pas rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë.

“Nga e hëna do të rihpahen edhe disa biznese: floktarët dhe sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia, pra varianti ‘merre me vete’, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial, si dhe galeritë dhe muzetë”, tha ai.

Numri total i të infektuarve në Kosovë ka arritur në 955.

Prej tyre, 29 vetë kanë humbur jetën. Shumica nga ta kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

XS
SM
MD
LG