Ndërlidhjet

Kosova pranon pjesën e dytë të ndihmës emergjente nga BE-ja


Flamuri i BE-së
Flamuri i BE-së

Kosova ka pranuar nga Bashkimi Evropian, pjesën e dytë të ndihmës emergjente prej 5 milionë eurosh për luftimin e pandemisë.

Pjesa e parë e kësaj ndihme ishte dorëzuar më 30 prill.

Pakoja e dorëzuar të mërkurën përmban 60 mijë maska për frymëmarrje, 19 mijë mburoja për fytyrën, 60 mijë shtroje njëpërdorimshe, 171 mijë palë doreza kirurgjikale, dhe 15 mijë litra dezinfektues duarsh.

Dorëzimin e saj e bëri zëvendës-shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri.

Në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës thuhet se në javët e ardhshme, BE-ja do të dorëzojë artikuj të tjerë, si ventilatorë, autoambulanca, shtretër spitalorë dhe shumë pajisje tjera mjekësore.

BE-ja miraton 100 milionë euro ndihmë për Kosovën

Të mërkurën, Këshilli i Bashkimit Evropian, miratoi vendimin për të siguruar deri në 3 miliardë euro ndihmë makro-financiare për dhjetë vendet partnere në kuadër të procesit të zgjerimit dhe disa vendeve tjera, për t'i ndihmuar ato të përballen me pasojat ekonomike të pandemisë së COVID-19.

Në kuadër të kësaj ndihme për Kosovën janë paraparë të ndahet 100 milionë euro.

Nga vendet e rajonit që do të përfitojnë janë: Shqipëria (180 milionë), Bosnje dhe Hercegovina (250 milionë), Mali i Zi (60 milionë), Maqedonia e Veriut (160 milionë).

Vendet tjera përfituese janë, Gjeorgjia, Jordania, Tunizia, Moldavia dhe Ukraina.

Ndihma financiare do të ofrohet në formën e kredive me mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

"Fondet do të ndihmojnë në forcimin e stabilitetit makroekonomik dhe për të zbutur pasojat negative socio-ekonomike të pandemisë koronavirus", thuhet në njoftimin e Këshillit të Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG