Ndërlidhjet

Parlamenti i Kinës do të diskutojë projektligjin për sigurinë kombëtare të Hong Kongut


Përleshje mes protestuesve dhe policisë gjatë protestave anti-qeveritare në Hong Kong.
Përleshje mes protestuesve dhe policisë gjatë protestave anti-qeveritare në Hong Kong.

Parlamenti i Kinës tha të enjten se do të shqyrtojë një projektligj të sigurisë kombëtare për Hong Kongun, një masë që ka të ngjarë të shkaktojë trazira në këtë rajon.

Pekini e ka bërë të qartë se dëshiron që legjislacioni i ri i sigurisë të miratohet, pasi në qytetin gjysmë-autonom, për shtatë muaj rresht, u organizuan protesta masive dhe ndonjëherë të dhunshme pro-demokracisë.

Propozimi, i cili do të prezantohet në mbledhjen e Kongresit Popullor që fillon punimet të premten, do të forcojë "mekanizmat e zbatimit të ligjit", tha zëdhënësi i parlamentit, Zhang Yesui.

Neni 23 i Ligjit Themelor, me të cilin qeveriset Hong Kongu, thotë se qyteti duhet të miratojë ligje të sigurisë kombëtare për të ndaluar "tradhëtinë, shkëputjen, dhe përmbysjen" kundër qeverisë kineze.

Por, ky nen nuk është zbatuar kurrë dhe ligjet nuk janë miratuar, për shkak të frikës se do të kufizonte të drejtat e banorëve të Hong Kongut, siç është liria e shprehjes.

Këto liri mbrohen nga një marrëveshje e bërë para se Britania e Madhe t'ia dorëzonte Hong Kongun përsëri Kinës më 1997.

Në vitin 2003 kishte një përpjekje për të vënë në funksion nenin 23 mirëpo procesi ui ndal, pasi gjysmë milioni njerëz dolën në rrugë dhe protestuan kundër.

Shtetet e Bashkuara të enjten paralajmëruan Kinën të mos miratojë legjislacionin e ri, duke thënë se një shkallë e lartë e autonomisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut, ishin kryesore për të ruajtur statusin e veçantë të territorit.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus tha se çdo përpjekje për të imponuar legjislacionin e sigurisë kombëtare, që nuk pasqyron vullnetin e njerëzve të Hong Kongut, do të ishte jashtëzakonisht destabilizues.

XS
SM
MD
LG