Ndërlidhjet

Thaçi thotë se Kurti e ka uzurpuar zyrën; Kurti këmbëngul në zgjedhje


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë dërguar sot porosi që shpërfaqin mospajtimet e tyre, lidhur me situatën politike në Kosovë.

Gjatë vizitës në Burgun e Dubravës, presidenti Thaçi u ka thënë mediave se Kurti “e ka uzurpuar zyrën e kryeminstrit” dhe se “po sillet si i paligjshëm në skenën politike”.

“Ne të gjithë duhet të fokusohemi në respektimin e plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë. Për fat të keq, kemi një njeri që ka uzurpuar zyrën e kryeministrit edhe pas dy shkeljeve të rënda kushtetuese dhe po sillet si njeri i paligjshëm në skenën politike kosovare. Sido që të jetë, ne duhet të kemi durim, duhet që qartësisht të punojmë, por edhe të respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që pritet të dalë në ditët e ardhshme”, ka thënë Thaçi.

Kurti është kritikuar disa herë për tejkalim të kompetnecave kushtetuese, pasi qeveria e tij ka marrë vendim për kufizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Thaçi ka shtuar se dekretimin e Avdullah Hotit, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për mandatar për formimin e qeverisë së re e ka bërë, siç ka thënë ai, “duke u bazuar në respektimin e plotë të Kushtetutës dhe, në të njëjtën kohë, të qëndrimeve që kanë treguar shumica e partive politike parlamentare”.

Kryeminsitri në detyrë, Albin Kurti, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka kujtuar se sot janë bërë dy muaj nga mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga ai. Kurti ka mohuar të ketë ngërç institucional në Kosovë, por ka theksuar se nevojiten zgjedhjet e reja.

“Ngërç institucional? Nuk është e vërtetë. Mospajtime ka, por edhe zgjidhje ka. Në përputhje me Kushtetutën tonë nevojiten zgjedhje të reja. Ato tashmë po mbahen anembanë Evropës. Pas shëndetit të popullsisë dhe ekonomisë, është në pyetje edhe shëndeti i demokracisë. Zgjedhje do të ketë në qershor në Islandë, Francë dhe Serbi, kurse në korrik në Maqedoninë e Veriut, Spanjë dhe Kroaci. Duhet të kemi zgjedhje edhe në Kosovë, e aso lokale në Podujevë. Madje, mundet edhe njëkohësisht”, ka shkruar Kurti.

Më 25 mars, Kuvendi i Kosovës ka miratuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Mocioni është iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës – parti në koalicionin qeverisës – pasi Kurti ka shkarkuar një nga ministrat e saj.

Presidenti i Kosovës, Thaçi, më 30 prill, e ka dekretuar Avduallah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për kryeministër të ri të vendit.

Të njëjtën ditë, Lëvizja Vetëvendsje ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e këtij vendimi të presidentit Thaçi.

Gjykata Kushtetuese, më 1 maj, ka vendosur masën e përkohshme për pezullim të zbatimit të këtij dekreti deri më 29 maj, derisa të marrë vendim për ligjshmërinë e këtij vendimi.

Më 19 maj, Gjykata Kushtetuese, përmes një komunikate, ka dënuar ashpër, siç ka thënë, “diskursin politik kërcënues që po zhvillohet ditëve të fundit nga presidenti dhe kryeministri në detyrë, si dhe bartës të tjerë të funksioneve institucionale dhe politike”, duke e konsideruar si ndërhyrje në pavarësinë e këtij institucioni.

Lexoni edhe këtë:

Fjalori fyes i politikanëve, sinjal për politikëbërje të re

XS
SM
MD
LG