Ndërlidhjet

Autonomia e Hong Kongut është minuar në thelb, thotë Pompeo


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, e ka njoftuar Kongresin se administrata amerikane nuk e konsideron më Hong Kongun si territor që gëzon shkallë të lartë të autonomisë së premtuar nga Pekini, dhe për këtë arsye kjo qendër financiare nuk meriton më trajtim të veçantë sipas ligjit të SHBA-së.

"Shtetet e Bashkuara dikur shpresonin se Hong Kongu i lirë dhe i prosperuar do të sigurojë një model për Kinën autoritare, tani është e qartë se Kina po e modelon Hong Kongun sipas vetvetes", tha Pompeo në një deklaratë më 27 maj.

"Asnjë person i arsyeshëm nuk mund të pohojë sot se Hong Kong gëzon një shkallë të lartë të autonomisë nga Kina, duke pasur parasysh faktet në terren" tha Pompeo, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara "qëndrojnë me njerëzit e Hong Kongut."

Njoftimi i Pompeos dërguar ligjëvënësve amerikanë krijon kushtet që Shtetet e Bashkuara të tërheqin statusin e veçantë financiar dhe tragtar për Hong Kongun.

Këtë status Shtetet e Bashkuara ia patën garantuar rajonit që nga viti 1997, kur Britania e Madhe ia dorëzoi këtë territor Kinës. Që nga ajo kohë Hong Kongu është pjesë e Kinës në bazë të politikës "një shtet, dy sisteme".

Rajoni ka qenë i trazuar për një kohë të gjatë pasi janë organizuar disa protesta, shpesh të dhunshme, përmes së cilave është kërkuar më shumë demokraci.

Së fundmi protesta ka pasur edhe për të kundërshtuar një ligj për himnin e Kinës dhe planet për një ligj tjetër të sigurisë kombëtare.

Me ligjin për sigurinë kombëtare, Pekini mund t’i lejojë agjencitë e tij të sigurisë të veprojnë edhe në Hong Kong, si dhe të ndalojë ndarjen dhe ndërhyrjen e huaj.

"Vendimi i Pekinit është i fundit në një seri veprimesh që minojnë në mënyrë thelbësore autonominë dhe liritë e Hong Kongut dhe premtimet e vetë Kinës për popullin Hong Kong", tha Pompeo.

XS
SM
MD
LG