Ndërlidhjet

Votimi i qeverisë së re mund të ndodhë shumë shpejt, paralajmëron LDK-ja


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka paralajmëruar se seanca e Kuvendit për votimin e qeverisë së re do të thirret shumë shpejt.

"Ekziston një mundësi që seanca të mbahet nesër, ekziston edhe mundësia tjetër që të mbahet të hënën. Në qoftë se është gjithçka në rregull sa i përket aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në pikëpamje të hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi, atëherë unë mendoj që nuk ka asnjë arsye të pritet më shumë", ka thënë Mustafa, para selisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Megjithatë ai tha se do të ketë konsultime edhe me partitë tjera, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën Socialdemokrate dhe partitë tjera.

Të enjten në mbrëmje, Gjykata Kushtetuese tha se vendimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për dekretimin Avdullah Hotit nga LDK-ja si mandatar për formimin e qeverisë së re, është në përputhje me Kushtetutën dhe se mocioni i mosbesimit ndaj një qeverie, nuk rezulton me shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit.

Vetëvendosje e kishte dërguar dekretin e presidentit për interpretim në Gjykatë Kushtetuese pasi e konsideronte antikushtetues. Vendimin e gjykatës, Vetëvendosje e ka quajtur skandaloz.

XS
SM
MD
LG