Ndërlidhjet

Veseli: Demokracia e Kosovës është në momente vendimtare


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, demokracia është në një moment vendimtar, siç është edhe e ardhmja e vendit.

“Refuzimi i LVV-së për ta dërguar te presidenti i vendit, për herë të dytë, emrin e mandatarit për kryeministër, ka imponuar këtë vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar Veseli në rrjetin social Facebook.

Të enjten në mbrëmje, Gjykata Kushtetuese tha se vendimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për dekretimin Avdullah Hotit nga LDK-ja si mandatar për formimin e qeverisë së re, është në përputhje me Kushtetutën dhe se mocioni i mosbesimit ndaj një qeverie, nuk rezulton me shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, e ka cilësuar të padrejtë dhe të paparanueshëm vendimin.

Vetëvendosje e kishte dërguar dekretin e presidentit për interpretim në Gjykatë Kushtetuese pasi e konsideronte antikushtetues.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar që pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të formohet sa më parë qeveria e re e Kosovës.

Ndërsa kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka paralajmëruar se seanca e Kuvendit për votimin e qeverisë së re do të thirret shumë shpejt.

XS
SM
MD
LG