Ndërlidhjet

Shtetet evropiane nuk mirëpresin vendimin e SHBA-së për heqje të lehtësimeve në programin bërthamor të Iranit


Flamuri amerikan dhe ai iranian.
Flamuri amerikan dhe ai iranian.

Britania, Franca dhe Gjermania kanë kritikuar vendimin e Shteteve të Bashkuara për t’iu dhënë fund lehtësimeve të sanksioneve për kompanitë, të cilat janë pjesë e marrëveshjes bërthamore, që Irani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

“Ndjejmë keqardhje ndaj vendimit amerikan për t’iu dhënë fund tri lehtësimeve që mbulojnë projekte të rëndësishme bërthamore në Iran”, është thënë në deklaratën e tri fuqive evropiane më 30 maj.

Këto masa lehtësuese kanë qenë pjesë e marrëveshjes së nënshkruar me Teheranin më 2015.

Sipas marrëveshjes, Irani është pajtuar për kufizim të aktivitetit bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Masat lehtësuese u kanë mundësuar kompanive evropiane, kineze dhe ruse që të punojnë në një reaktor të ujit të rëndë në Arak, qytet i madh industrial në perëndim të Iranit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka thënë më 27 maj se “loja e vazhdueshme me zjarrin” nga ana e Iranit, duke shkelur disa përkushtime bërthamore, nuk arsyeton vazhdimin e lehtësimeve.

“Zhvatja bërthamore e regjimit do të rezultojë me rritje të presionit nga Irani dhe izolim të mëtejmë nga komuniteti ndërkombëtar”, ka thënë ai.

Ekspertë për mospërhapje bërthamore kanë thënë se këto lehtësime iu mundësojnë ekspertëve që të vëzhgojnë aktivitete bërthamore të Teheranit, dhe se kërkimet e tyre shkencore realizohen për qëllime legjitime civile, sikurse mjekësia.

Presidenti amerikan, Donald Trump është tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin në maj të vitit 2018, dhe ka rikthyer sanksionet e ashpra ndaj Teheranit.

Si kundërpërgjigjje Irani ka shkelur disa pika të marrëveshjes bërthamore.

Përveç vendeve evropiane, edhe Rusia ka kritikuar vendimin amerikan, duke pretenduar se politika e jashtme amerikane po bëhet “më e rrezikshme dhe më e paparashikueshme”.

XS
SM
MD
LG