Ndërlidhjet

George Floyd ka vdekur nga asfiksia, gjen autopsia private


Ilustrim.
Ilustrim.

George Floyd ka vdekur nga asfiksia, ka gjetur autopsia e kërkuar nga familja e afrikano-amerikanit në Mineapolis, vdekja e të cilit ka nxitur protesta masive në Shtetet e Bashkuara, transmeton BBC.

Ai ka vdekur për shkak të presionit që i është bërë në qafë nga zyrtarë policorë, kanë thënë ekspertë mjekësorë të angazhuar nga familja e tij.

“Shkaku i vdekjes sipas mendimit tim është asfiksia, për shkak të shtypjes në qafë – e cila mund të ndikojë në oksigjenin që shkon te truri – dhe presionit në shpinë, e cila mund të ndikojë në frymëmarrje”, ka thënë Michael Baden, ish-zyrtar mjekësor për qytetin e Nju Jorkut, që është angazhuar nga familja e Floydit.

Të gjeturat dallojnë nga autopsia zyrtare e kryer nga ekspertë mjekësorë të qarkut të Mineapolis.

Kjo vdekje ka rezultuar me gjashtë ditë të protestave në gjithë SHBA-në.

Nivel i tillë i shkallës së dhunës dhe përleshjeve nuk është parë prej viteve 1960.

XS
SM
MD
LG