Ndërlidhjet

Trump dhe Putin diskutojnë për Samitin e G7-ës dhe kontrollin e armëve


Presidenti amerikan, Donald Trump dhe ai rus, Vladimir Putin.
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe ai rus, Vladimir Putin.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka telefonuar presidentin rus, Vladimir Putin për t’i treguar propozimin e tij që të zgjerojë Samitin e shtatë vendeve më të Industrializuara (G7) më vonë gjatë këtij viti, duke përfshirë edhe Rusinë në të, ka njoftuar Kremlini.

Në kohën e pandemisë me koronavirus, Trump ka thënë javën e kaluar se ai do të mund të shtynte deri në vjeshtë takimin e liderëve të G7-ës, që ishte planifikuar të mbahej muajin e ardhshëm, dhe se aty planifikon të ftojë Rusinë, Australinë, Korenë Jugore dhe Indinë.

Kremlini ka thënë më 1 qershor se Trump i ka treguar Putinit këtë ide, mirëpo nuk ka ofruar të dhëna të diskutimit, apo nëse lideri rus ka pranuar ftesën.

Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar bisedën duke thënë se të dy liderët “kanë diskutuar përparimin drejt mbajtjes së takimit të G7-ës”.

Trump u ka thënë gazetarëve më 30 maj se grupi i anëtarëve të tanishëm të G7-ës, që përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Gjermania, Britania, Japonia, Italia dhe Franca – është i “papërditësuar” dhe nuk përfaqëson në mënyrë të duhur “atë që po ndodh në botë”.

Rusia ka qenë anëtare e këtij grupi për shumë vjet, duke e kthyer grupin në G8, mirëpo është përjashtuar për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

Trump ka thënë se beson që do të ishte e përshtatshme që Rusia të jetë pjesë e grupit “sepse për shumë gjëra që flasin, kanë të bëjnë me Rusinë”.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë është thënë se Trump dhe Putin kanë diskutuar edhe përpjekjet e fundit për të luftuar pandeminë me koronavirus dhe rihapjen e ekonomisë globale.

Presidenti amerikan ka “ritheksuar nevojën për kontroll efektiv të armëve”, është thënë mes tjerash në deklaratë.

Putin ka falënderuar Trumpin për dërgesat e ventilatorëve dhe e ka përgëzuar për nisjen e dy astronautëve me anijen kozmike të ndërtuar nga kompania SpaceX, e Elon Muskut, është thënë në njoftimin e Kremlinit.

Kremlini ka thënë edhe se Putin dhe Trump kanë folur për zhvillimin e bashkëpunimit me përftime të përbashkëta në Hapësirë, si dhe kanë biseduar edhe për nevojën e rritjes së dialogut në mes të SHBA-së dhe Rusisë, sa i përket stabilitetit strategjik dhe hapave për të krijuar besim të përbashkët në fushën e ushtrisë.

XS
SM
MD
LG