Ndërlidhjet

Lajçak "mezi pret" të punojë me Hotin


Përfaqësuesi i BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.
Përfaqësuesi i BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe për çështje të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka thënë të mërkurën se ka mezi pret të punojë me kryeministrin e ri të Kosovës, Avdullah Hoti, në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

Qeveria Hoti është votuar të mërkurën në Kuvendin e Kosovës me 61 vota për 24 kundër dhe një abstenim.

“E urova Avdullah Hotin për zgjedhjen e tij në postin e kryeministrit të Kosovës, gjatë bisedës telefonike që patëm sot. Mezi pres të punoj me të në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe për perspektivën evropiane për popullin e Kosovës”, ka shkruar në Lajçak në një postim në rrjetin social, Twitter.

Dialogu mes këtyre dy vendeve është pezulluar prej kur autoritetet e Kosovës kishin vënë taksë 100 për qind në mallrat serbe, në nëntor të vitit 2018.

Kryeministri në shkuarje, Albin Kurti ka zëvendësuar këtë masë me reciprocitet më 1 prill të këtij viti, derisa një tjetër vendim për zgjerim të këtij vendimi e ka marrë fundjavën e kaluar.

Në vendim është thënë se mallrat që nuk posedojnë dokumente që i referohen Kosovës me emrin e saj kushtetues, Republika e Kosovës, nuk do të lejohen të hyjnë në Kosovë.

Lajçak ka reaguar duke thënë se ky masë ka qenë zhgënjyese për të, si dhe ka bërë thirrje për mënjanim të veprimeve të njëanshme, që sipas tij dëmtojnë procesin e rifillimit të dialogut.

Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.

XS
SM
MD
LG