Ndërlidhjet

Gjuriq: Kosova është dashur më herët të heqë pengesat tregtare me Serbinë


Marko Gjuriq.
Marko Gjuriq.

Pas heqjes së masave të reciprocitetit ndaj Serbisë nga Qeveria e Kosovës, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se Kosova do të duhej më parë të hiqte pengesat tregtare me Serbinë, duke shtuar se dëmi i shkaktuar nga bllokada dyvjeçare është i madh “dhe i pafalshëm”.

Gjuriq u bëri thirrje biznesmenëve nga të dy palët që të përdorin mundësinë për t'u lidhur më mirë dhe për të krijuar mundësi të reja për njerëzit e të gjitha kombësive dhe theksoi se forcimi i bashkëpunimit ekonomik midis Beogradit dhe Prishtinës është një përbërës i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve, dhe se forcimi i mëtutjeshëm i ekonomisë serbe do të forcojë pozicionin e shtetit serb.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e reciprocitetit.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se me heqjen e reciprocitetit, Kosova ka hequr pengesat për procesin e dialogut, por theksoi se tani i mbetet Serbisë, që të heqë pengesat, duke kërkuar ndaljen e fushatës së çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Fillimisht taksa 100 për qind e vendosur në fund të vitit 2018 dhe më pas reciprociteti i vendosur ndaj Serbisë në prill të këtij viti, u panë si pengesa për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është ndërprerë në fund të vitit 2018, kur u vendos taksa 100 për qind. Beogradi ka kërkuar heqjen e të gjitha pengesave, në këmbim të kthimit në tavolinën e bisedimeve.

XS
SM
MD
LG