Ndërlidhjet

Përfaqësuesit e sektorit ekonomik mirëpresin vendimin për reciprocitetin


Pikëkalimi kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdare.
Pikëkalimi kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdare.

Oda Ekonomike Amerikane (OEAK) dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shfuqizuar masat e reciprocitetit me Serbinë.

Përmes një reagimi të përbashkët, këto dy Oda thonë se ky është një hap i rëndësishëm në integrimin ekonomik rajonal, por edhe në përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore ndërmjet shteteve të Ballkanit.

"Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Amerikane mirëpresin vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për shfuqizimin e barrierave tregtare, një hap i cili do të mundësonte bashkëpunim më të madh ekonomik rajonal por edhe raporte më të mira ndërfqinjësore. Eliminimi i barrierave tarifore e jotarifore si dhe avancimi i lëvizjes së mallrave dhe shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit ndërmjet shteteve të Ballkanit, do të rrisnin prospektet për tërheqje të investimeve të huaja direkte dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik", thuhet në reagim.

Edhe Aleanca Kosovare e Biznesit, mirëpriti vendimin për shfuqizimin e reciprocitetit.

“Vendimi i sotëm i qeverisë i hap rrugë Kosovës drejt integrimeve evropiane të bazuar në rekomandimet e aleatëve ndërkombëtarë, sidomos të SHBA-së dhe BE-së ku përfitimet mund të jenë të shumëfishta në aspektin ekonomik, politik dhe diplomatik drejt integrimeve te Republikës dhe daljes nga geto”, thuhet në reagim.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se vendimin për shfuqizimin e reciprocitetit e ka bërë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, në veçanti me SHBA-në.

Ai ka deklaruar se tani është në dorën e Serbisë që të heqë pengesat, me qëllim që Prishtina dhe Beogradi t’i kthehen dialogut.

Vendosja e reciprocitetit u kundërshtua nga SHBA-ja dhe BE-ja.

Fillimisht taksa 100 për qind e vendosur në fund të vitit 2018 dhe më pas reciprociteti i vendosur ndaj Serbisë në prill të këtij viti, u panë si pengesa për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është ndërprerë në fund të vitit 2018, kur u vendos taksa 100 për qind. Beogradi ka kërkuar heqjen e të gjitha pengesave, në këmbim të kthimit në tavolinën e bisedimeve.

XS
SM
MD
LG