Ndërlidhjet

Abrashi: Kosova rihap aeroportin brenda dhjetë ditësh


Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit në Qeverinë e Kosovës, Arban Abrashi, tha se pret që fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” të rinisin brenda dhjetë ditësh.

Ato janë ndërprerë qysh në muajin mars, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Abrashi tha për Radion Evropa e Lirë se ka zhvilluar takime me të gjitha institucionet, përfshirë këtu Autoritetin e Aviacionit Civil, Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, kompanitë ajrore dhe Ministrinë e Shëndetësisë, për rikthimin sa më të shpejtë të fluturimeve.

“Po bëjmë përpjekje që brenda dhjetë ditësh të bëhet rifillimi i plotë i fluturimeve ndërkombëtare, duke respektuar plotësisht udhëzimet për masat e sigurisë për parandalimin e COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi], të lëshuara nga Agjencioni Evropian i Sigurisë së Aviacionit (EASA) dhe udhëzimet tjera nga Ministria e Shëndetësisë”, tha Abrashi.

Kosova ka regjistruar rastet e para me koronavirus më 13 mars dhe menjëherë ka vendosur masa izolimi, përfshirë mbylljen e kufijve, të shkollave dhe të gastronomisë.

Lehtësimi i masave ka nisur të bëhet gradualisht qysh më 4 maj.

Zyrtarë të Aeroportit “Adem Jashari” njoftuan se nuk kanë arritur të realizojnë rreth 700 mijë fluturime si pasojë e masave kufizuese.

Në një konferencë për media, zëdhënësja Valentina Gara tha se situata e krijuar me koronavirus ka ndikuar në rënien e operimeve të aeroportit dhe dha detaje rreth organizimit dhe masave që aeroporti ka ndërmmarë kur të rifillojnë fluturimet.

Vetëm udhëtarët që udhëtojnë do të lejohen të hyjnë në terminal apo në hapësirat e terminalit të aeroportit, tha ajo.

Sipas saj, secilit udhëtar në nisje apo në momentin që hyn në aeroport do t’i matet temperatura.

Po ashtu, udhëtarët do të duhet të mbajnë distancën fizike 1.5 metër, sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në hapësirat pritëse të aeroportit, ulëset janë vendosur në atë mënyrë që njerëzit të kenë distancën e duhur, tha Gara.

Ajo po ashtu tha se bagazhet e udhëtarëve do të dezinfektohen në vazhdimësi.

Në Kosovë, gjithsej 1,263 raste janë konfirmuar me koronavirus.

Prej tyre, 912 pacientë janë shëruar, ndërsa 31 kanë vdekur.

XS
SM
MD
LG