Ndërlidhjet

UNDP i dhuron Kosovës 20 ventilatorë


Klinika Infektive në QKUK. Foto nga arkivi.
Klinika Infektive në QKUK. Foto nga arkivi.

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, i ka dorëzuar Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) 20 ventilatorë të cilët do të ndihmojnë në trajtimin e të infektuarve me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Sipas një njoftimi për media të Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se këta ventilatorë janë blerë me fonde të qeverive të Norvegjisë, Zvicrës dhe Luksemburgut.

Këta ventilatorë pritet që të ngrisin kapacitetin e kujdesit intensiv të sektorit shëndetësor të Kosovës.

“Kontributi i përgjithshëm nga qeveritë e Norvegjisë, Zvicrës dhe Luksemburgut për blerjen e ventilatorëve mobil Vg70 është 1,17 milion dollar, në partneritet me UNDP-në. Falë kësaj mbështetjeje UNDP ka blerë 40 ventilatorë, 20 prej të cilëve u dorëzuan sot ndërsa pjesa tjetër do të dorëzohet deri në fund të muajit qershor”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Që nga shpërthimi i COVID-19, UNDP në Kosovë, si agjenci kyçe e ekipit të OKB-së në Kosovë është duke mbështetur qytetarët dhe institucionet e Kosovës që të përgatiten, t'i përgjigjen në mënyrë sa më adekuate pandemisë.

Sipas shifrave të fundit, në Kosovë janë regjistruar 1,326 raste me koronavirus. Prej tyre, 921 janë shëruar dhe 31 pacientë kanë vdekur.

XS
SM
MD
LG