Ndërlidhjet

Lajçak niset drejt Prishtinës


Mirosllav Lajçak.
Mirosllav Lajçak.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar se është nisur për në Prishtinë, për të nisur më vonë gjatë ditës, vizitën e tij zyrtare.

Lajçak ishte thënë se do të niste vizitën e tij të hënën në Kosovë, mirëpo duket se disa komplikime në udhëtime, kanë shtyrë agjendën e tij.

“Pas një komplikimi të vogël në udhëtim dje, komuniteti ndërkombëtar u aktivizua. Tani janë nisur drejt Prishtinës. Mezi pres të nis vizitën zyrtare në Prishtinë më vonë gjatë ditës”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka thënë një ditë më parë për Radion Evropa e Lirë se Lajçak është nisur në Kosovë “për të diskutuar rreth modaliteteve dhe ai do të sjellë data për rinisjen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, një proces që ka sjellë rezultate reale për njerëzit e Kosovës, që prej se ka nisur”.

Ai pritet të arrijë në Prishtinë në pasditën e së martës me aeroplanin ushtarak zviceran.

Lajçak arrin në Kosovë një ditë pasi i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka njoftuar se përfaqësuesit e këtyre dy shteteve do të takohen në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.

Kujtojmë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Ndërkohë kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel.

XS
SM
MD
LG