Ndërlidhjet

Drejtorja e Zërit të Amerikës dhe zëvendësja e saj japin dorëheqje


Ish-drejtorja e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett

Drejtorja e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett dhe zëvendësja e saj, Sandy Sugawara, kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, në kohën e mospajtimeve me Shtëpinë e Bardhë, rreth mbulimit të Kinës nga ky transmetues.

Bennett dhe Sugawara kanë ofruar dorëheqjen e tyre më 15 qershor, duke thënë se pas emërimit të Michael Pack, nga presidenti amerikan Donald Trump, në rolin e shefit ezekutiv të agjencisë, që mbikëqyr këtë transmetues ndërkombëtar të qeverisë amerikane, është koha që të largohen.

“Asgjë rreth pasionit, misionit dhe integritetit nuk ndryshon”, kanë shkruar ato në letër.

“Michael Pack është betuar para Kongresit për të respektuar dhe nderuar murin që i garanton pavarësi Zërit të Amerikes, i cili luan rolin kryesor në besimin që gëzojmë nga audiencat në gjithë botën”.

Agjencia amerikane për Media Globale, e cila udhëheq Zërin e Amerikës, mbikëqyr edhe mediat tjera si Radion Evropa e Lirë, Radion Azia e Lirë, dhe transmetuesin e fokusuar në Kubë, Radio Marti.

Senati amerikan, i udhëhequr nga republikanët, ka miratuar emërimin e konservatorit, Pack këtë muaj, me 53 vota në të mirë të tij dhe 38 kundër.

Votimi është ndarë në baza partake, pasi vetëm një demokrat ka votuar për emërimin e tij.

Trump ka kritikuar ashpër raportimin e Zërit të Amerikës rreth koronavirusit, që ka qenë në kundërshtim me qëndrimin e administratës amerikane rreth përgjigjjrs së Kinës ndaj pandemisë së re.

Shtëpia e Bardhë madje ka marrë hap të pazakonshëm, duke kritikuar Zërin e Amerikës përmes një deklarate për media, dhe duke udhëzuar Qendrën për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, që të mos bashkëpunojë me gazetarët e këtij mediumi.

Një email i siguruar më 30 prill, dhe e publikuar fillimisht në një Institut për Amendamentit të Parë, është parë se kjo Qendër ka udhëzuar stafin për media, që të refuzojë të gjitha kërkesat për intervista, që lidhen me Zërin e Amerikës.

Karta e Zërit të Amerikës kërkon që raportimet e kësaj agjencie, që janë të dedikuara për audienca të huaja në Rusi, Iran, Kinë dhe shtete tjera, ku mediat nuk janë të lira apo të pavaruara, të jenë, “të sakta, objektive dhe kuptimplota” si dhe të “përfaqësojnë Amerikën dhe jo vetëm një segment të shoqërisë amerikane”.

Demokratët kanë kundërshtuar nominimin e Packut, dikur bashkëpunëtor i ish-këshilltarit të Trumpit, Steve Bannon, pjesërisht edhe për shkak të refuzimit të tij që t’iu përgjigjet pyetjeve për marrëveshjet biznesore të së kaluarës.

XS
SM
MD
LG