Ndërlidhjet

Hoti flet për dialogun me Serbinë, thotë se nuk do të ketë shkëmbim territoresh


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka folur të mërkurën për dialogun me Serbinë, duke thënë se marrëveshja finale do të bazohet në kushtetutë.

Sipas tij, pas nënshkrimit të marrëveshjes finale me Serbinë, menjëherë duhet të ndodhë njohja reciproke, njohja nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, si çdo vend tjetër, shfuqizimi i rezolutës 1244 dhe të ecet tutje në procedurat e integrimit euroatlantik.

Kryeministri Hoti në diskutimin “Cila është platforma e Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë?” të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se nuk i di prapaskenat e dialogut dhe se nuk do të flitet për shkëmbim të territoreve.

“Kam kërkuar nga partnerët tanë në ditën e parë të detyrës, në telefonatat në Berlin, Paris, Uashingon, Brukel, kam kërkuar si kryeministër të di ku ka arritur procesi. Përgjigja e tyre ka qenë se nuk ka arritur askund, dhe se do të uleni si dy shtete të pavarura që do të negocioni për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që çon te njohja reciproke”, ka thënë Hoti.

“Marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën. Të gjithë partnerët e konfirmojnë që Kosova të ulet për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve. Dialogu tash zhvillohet për njohje reciproke dhe si derivat edhe për normalizim të marrëdhënieve”, ka thënë mes tjerash Hoti.

Më 27 qershor, kryeministri Hoti do të vizitojë Shtëpinë e Bardhë, për të marrë pjesë në takimin ndërmjet dy palëve, Kosovës dhe Serbisë.

Ky takim është thirrur nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së për negociatat e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.

Të martën, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se shpreson që ky takim mund të rrisë shpresat për një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë në po të njëjtën ditë se, temë e takimit nuk do të jetë pranimi i pavarësisë së Kosovës, por çështjet ekonomike.

Dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel. Ai është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, por qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

XS
SM
MD
LG