Ndërlidhjet

OBK: 1 për qind e popullsisë në botë, e zhvendosur


Ilustrim.
Ilustrim.

Dhuna dhe persekutimi kanë detyruar pothuajse 80 milionë persona që të largohen nga shtëpitë e tyre, shifra që tregojnë për rritje të zhvendosjes në dekadën e kaluar, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, UNHCR.

Deri në fund të vitit të kaluar, një në 97 persona në botë është zhvendosur diku, është thënë në raportin e ri të kësaj agjencie.

“Një për qind e popullsisë botërore nuk mund të shkojë nëpër vendlindjet për shkak të luftës, persekutimit, shkeljes së të drejtave të njeriut dhe formave tjera të dhunës”, ka thënë shefi i UNHCR-së, Filippo Grandi.

Të gjeturat kanë treguar se deri në fund të vitit 2019, një rekord prej 79.5 milionë personave janë duke jetuar si refugjatë, azilkërkues apo janë zhvendosur brenda shteteve të tyre.

Kjo shifër përbën rritje për 9 milionë, në krahasim me vitin paraprak.

Afro 46 milionë prej personave të zhvendosur, janë bartur brenda vendeve të tyre, derisa 26 milionë kanë ikur përtej kufijve si refugjatë.

“Ky është trend që ka vazhduar nga vitit 2012: shifrat janë më të larta sesa secilin vit më parë”, ka thënë Grandi, duke theksuar se kjo gjë nënkupton që “ka pasur më shumë konflikte, dhe më shumë dhunë, që ka shtyrë njerëzit të largohen nga shtëpitë e tyre”.

Grandi ka thënë se 68 për qind e refugjatëve në botë janë nga pesë shtete: Siria, Venezuela, Afganistani, Sudani Jugor dhe Mianmari.

XS
SM
MD
LG