Ndërlidhjet

Klinika Infektive: 65 pacientë të shtrirë me koronavirus


Ilustrim.
Ilustrim.

Klinika Infektive, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka raportuar se të premten në këtë institucion janë të shtrirë 79 pacientë, prej tyre 65 të prekur me koronavirus.

Prej tyre, pesë pacientë janë në gjendje të rëndë, duke u trajtuar në repartin e mjekimit intensiv, derisa 30 raste tjera janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë të premten, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Shëndetësi, se Klinika Infektive momentalisht ka 125 shtretër dhe gjashtë respiratorë, me mundësi të shtimit sipas nevojës.

Ai ka paralajmëruar se ministria që drejton ai, dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK), do të vazhdojnë të përgjigjen ndaj pandemisë, përmes gjurmimit aktiv të rasteve, rritjes të testimeve, izolimit të rasteve pozitive dhe atyre të kontaktit.

Mes tjerash, Zemaj ka përmendur edhe blerjen e testeve serologjike, sipas kërkesës së IKSHPK-së.

Testet serologjike, janë teste në bazë të të cilave mund të vërtetohet nëse një person e ka pasur koronavirusin. Për dallim nga testet që i ka bërë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik deri tash me strisho, të hundës ose gojës, testi serologjik bëhet përmes mostrave të gjakut.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, autoritetet e Kosovës deri më tani kanë regjistruar 1,916 persona të prekur me sëmundjen, Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri.

Prej tyre, 973 persona janë shëruar, derisa 34 pacientë kanë vdekur.

XS
SM
MD
LG