Ndërlidhjet

Cramon-Taubadel: Pyesni Macronin pse ngurron që të ndodhë liberalizimi i vizave për Kosovën


Raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon-Taubadel

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon-Taubadel ka thënë se Kosova duhet të pyes presidentin e Francës, Emmanuel Macron se pse ai ngurron që kosovarët të marrin liberalizimin e vizave.

Kështu ka thënë ajo në një përgjigje që i ka kthyer në Twitter, ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacollit, i cili ka kërkuar nga BE-ja që të liberalizojë vizat për Kosovën, ashtu siç ka rekomanduar Komisioni Evropian.

“Siç ja kam shpjeguar edhe zotit Richard Grenell, është në dorën e Këshillit të Evropës që ta trajtojë këtë çështje. Por, nëse dëshironi që të keni një rol konstruktiv për këtë çështje, thërrisni në telefon dhe pyeteni presidentin e Francës, Emmanual Macron se pse ai nguron që të ofrojë liberalizim të vizave për Kosovën. Do të befasoheni nga përgjigja e tij”, ka shkruar Cramnon- Taubadel.

Edhe i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka komentuar për çështjen e liberalizimit të vizave, duke kërkuar nga raportuesja për Kosovën që të mos e kritikojë administratën amerikane për çdo gjë, por të koncentrohet në liberalizimin e vizave.

“Viola, në vend se të kritikoni çdo gjë që bën administrata Trump për të ndihmuar në normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, pse nuk koncentrohesh vetëm në një gjë që duhet ta bësh: liberalizimin e vizave për Kosovën. Jeni ankuar për të tjerët për më shumë se 20 vjet. Bëni pjesën tuaj”, ka shkruar Grenell.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se kanë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe presin që edhe BE-ja tash të mbajë fjalën dhe të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk kanë të drejtë të lëvizin pa viza në Zonën Shengen.

XS
SM
MD
LG